Greqi/ Arrestohen katër policë për torturë ndaj një të burgosuri shqiptar

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve në Greqi njoftoi arrestimin e katër pjesëtarëve të policisë greke të cilët akuzohen “për torturë dhe fyerje të tjera të dinjitetit njerëzor me bashkëpunim” ndaj një të burgosuri shqiptar.

Marketing

Arrestimi është kryer nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Forcave të Sigurisë dhe katër policët janë dërguar në prokurorinë kompetente, thuhet në njoftimin zyrtar.

“Siç rezultoi nga hetimi, të arrestuarit , një oficer, 2 policë dhe roja speciale, të ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes dhe transferimit të të burgosurve në institucionin e vuajtjes së dënimit , kanë kryer akte rrahjeje dhe torture ndaj një të burgosuri të huaj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit.

Sipas mediave kryesore greke brenda mjetit burg ndodheshin 11 të burgosur të cilët gjithashtu dëshmuan se policia e ka rrahur të dënuarin shqiptar.

Një nga gardianët e burgut të Koridhalosit ka vënë re shenjat në kokën e të burgosurit dhe ka njoftuar policinë e cila arrestoi katër pjesëtarët e policisë, njoftuan mediat kryesore greke.

Policët grekë kanë pretenduar se helmeta ishte vendosur pasi i burgosuri po tentonte të godiste vetë kokën.

Policia greke ka kryer kohët e fundit një seri bastisjesh në burgje nën dyshimet se rrjete kriminale kanë urdhëruar disa nga vrasjet me pagesë të ndodhura kohët e fundit dhe ku viktima kanë qenë edhe shtetas shqiptarë.

Sipas medias greke rreth 25 vrasje të këtij karakteri janë regjistruar në pesë vitet e fundit dhe janë të lidhura me të burgosur grekë dhe të huaj që kishin vepruar në periudhën 2005-2015./VOA