Greqi, arrestohet ish-ministri i Mbrojtjes dhe Financave për ryshfet

Ryshfeti ka dërguar prapa hekurave të burgut, mbrëmjen e së martës, një figurë të shquar të socialistëve grekë e gjithashtu ish-ministër, pas një çështjeje të vitit 2003 lidhur me përmirësimin e frigatave të marinës detare.

Marketing

Ish-ministri i Mbrojtjes, Yannos Papantoniou dhe bashkëshortja e tij u dërguan në paraburgim, në pritje të gjykimit, pasi pretendohet të kenë fshehur rreth 2.8 milionë franga zvicerane (2.45 mln euro) nga ryshfetet kontraktuale në dhjetëra llogari bankare zvicerane.

Që të dy ata i mohojnë akuzat. Papantoniou, ekonomist 69-vjeçar, ishte një ministër kyç në administratat e njëpasnjëshme socialiste mes viteve 1994 dhe 2004, teksa ka shërbyer më parë edhe si ministër Financash, kur Greqia përgatitej t’i bashkohej Eurozonës.

Papantoniou ka qenë nën hetim përgjatë 15 viteve të fundit. Në vitin 2006, ai fitoi një gjyq për shpifje ndaj të përditshmes franceze “Liberation”, për shkak të artikullit që pretendonte se kontraktori i mbrojtjes franceze “Thales” kishte vendosur mënjanë një “pagesë komisioni” për të, për të siguruar garancinë maksimale për kontratën me Athinën, për Olimpiadën e vitit 2004.

“Thales” do ta humbiste më pas kontratën përkundrejt kontraktorit amerikan “SAIC”.

Papantoniou është anëtari i dytë i partisë së fuqishme “PASOK” që burgoset për ryshfet, pas themeluesit Akis Tsochatzopoulos, i cili pasoi Papantonioun në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtij të fundit iu dhanë 20 vite burgim në vitin 2013, për pagesë ryshfeti kontraktuale, por u lirua në korrik për shkak të gjendjes shëndetësore.

Marketing