Greqia i kërkon Turqisë të ndalë “veprimet e paligjshme”

Të hënën, Greqia i kërkoi Turqisë të ndalë veprimet e paligjshme në Mesdheun lindor, duke thënë se një veprimtari e tillë është provokuese dhe minon paqen dhe sigurinë në rajon.

Marketing

Deklarata u bë nga ministria e Jashtme e Greqisë.

Marina e Turqisë ka lëshuar një njoftim duke thënë se anija turke Oruc Reis do të kryejë një studim në një zonë të diskutueshme në Mesdheun lindor gjatë dy javëve të ardhshme.

“Greqia nuk do të pranojë asnjë shantazh. Ajo do të mbrojë të drejtat e saj sovrane,” tha ministria e Jashtme në deklaratë.

Tensionet mes dy vendeve anëtare të NATO-s janë në rritje për shkak të planeve të Turqisë për të kërkuar naftë dhe gaz natyror në rajonin e Mesdheut lindor.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi më 7 gusht se Turqia ka rifilluar kërkimet për gaz dhe naftë në Mesdheun lindor, duke akuzuar Greqinë fqinje se ka dështuar të mbajë premtimet e saj.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që Turqia të “sanksionohet” duke e akuzuar Ankaranë për shkelje të të drejtave të Greqisë dhe Qipros, pasi që të tre vendet përpiqen të shfrytëzojnë rezervat e zbuluara së fundmi.