Për të dytën natë me radhë, zjarre të mëdha kanë vazhduar në ishullin e Kefalonisë. Që nga mbrëmja e së mërkurës, zjarrfikësit e ishullit po përpiqen të shuajnë flakët me të gjitha mjetet që kanë dhe me ndihmën e banorëve vullnetarë të zonave. Vatra më e madhe e zjarrit është në zonën Markopoulo, ndërsa në aktivitet të plotë është edhe zjarri në Ano Katelio, ku disa prej banorëve banesat e të cilëve kërcënoheshin nga zjarri janë evakuuar. Zjarret në fshatrat Ratzakli, Mavratsa dhe Komposhikratas janë gjithashtu në aktivitet të plotë. Turistët dhe banorët e ishullit, kryesisht nga zona e Skalal, kanë lënë banesat e tyre dhe janë zhvendosur afër detit. Së fundi, ka disa ndërprerje të energjisë në disa fshatra për shkak të shkatërrimit të shtyllave elektrike. Vec zjarreve, edhe moti i keq ka alarmuar Greqinë.
Cikloni “Ksenofon” ka shkaktuar një sërë problemesh. Cikloni mesdhetar i ashtuquajtur “Ksenofon” shoqërohet me erëra të fuqishme e dallgë që shkojnë deri në 10 ballë, duke shkaktuar probleme sidomos në transportin detar. Në shumë porte të Greqisë është ndaluar lundrimi. Vetëm në Prefekturën e Atikës janë regjistruar qindra pemë të thyera e të shkulura nga fuqia e erës, ndërsa organet vendore urdhëruan që këtë të premte, të gjitha shkollat e kësaj prefekture të qëndrojnë të mbyllura. Shkollat do të jenë të mbyllura edhe në ishujt e Jonit, Zakinthos dhe Kefaloni, në Peloponez, si dhe në ishujt e Egjeut jugor.
Sipas parashikimeve të meteorologëve grekë, cikloni ka shumë mundësi të prekë orët në vijim një pjesë të mirë të ishujve të Greqisë jugore, midis tyre edhe Kretën, e më pas pritet që ai të ngjitet në Peloponez, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu. Ndërkohë, organi i Mbrojtjes Civile ka njoftuar të gjithë organizmat shtetërore, bashkitë dhe prefekturat e vendit, të jenë në gjendje gatishmërie për të përballuar fenomenet e tejskajshme natyrore. Gjithashtu janë këshilluar qytetarët të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të marrin masa nga rreziqet që rrjedhin prej këtyre fenomeneve.