Eros Grezda është një nga të paktët “veteranë” të Kombëtares kuqezi, që është vënë në dispozicion të trajnerit Edi Reja, në këto ditë të para të grumbullimit para ndeshjeve eliminatore ndaj Islandës dhe Moldavisë.
Sulmuesi gjakovar, i cili luan me Rangers, ka dhënë një intervistë për Supersport, nga qendra e grumbullimit të kuqezinjve në hotel “Tropikal” në Durrës, ku ka folur me superlativa për trajnerin e ri të kuqezinjve.
Si po të duken ditët e para të grumbullimit, me trajnerin e ri të Kombëtares, Edi Reja?
Janë shumë pak ditë për ta njohur njëri-tjetrin, por me ato që kemi parë në fillim, është gjithçka shumë pozitive. Ka një entuziazëm në grup, ndonëse nuk jemi të gjithë gati. Kemi kaluar shumë mirë.
A keni evidentuar ndonjë dallim mes Rejës dhe Panuccit?
Është ende herët, por ndryshimi shihet, pasi janë dy persona totalisht të ndryshëm. Edhe eksperienca bën të vetën, pasi Panucci ishte në fillimet e tij, ndërsa Reja ka shumë vite përvojë dhe di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët.
Dy ndeshjet e radhës janë përballë Islandës dhe Moldavisë. Çfarë pret Shqipëria nga këto takime, duke qenë se eliminatoret nuk nisën në mënyrën më të mirë?
Me Islandën është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi është një rival direkt për kualifikimi, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme që të mos humbasim, ndërsa ndaj Moldavisë duhet të marrim maksimumin.
Mendoni se me 4 pikë do të ishit të kënaqur?
Ne do të luajmë për 6 pikë, pasi për të shkuar në Europian, duhet të fitojmë ndeshjet, Megjithatë mendoj se edhe 4 pikë, do të ishin shumë mirë për këto dy takime.
Keni kaluar një periudhë të vështirë në Skoci, ku ju kanë penguar dëmtimet dhe keni luajtur shumë pak…
Nuk kam pasur fat me dëmtimet, që më kanë shoqëruar vazhdimisht. Pikërisht dëmtimet më lanë mbrapa dhe nuk po arrija të futesha në ritmin e skuadrës. Kam edhe 3 vite e gjysmë kontratë me Rangers, por gjithçka mund të ndodhë.
Duke parë minutazhin e paktë, e mendoni largimin në merkaton e verës?
Për momentin jam i grumbulluar me Kombëtaren dhe përqendrimin maksimal e kam këtu. Objektivi kryesor i imi është që të luaj, por nuk di të them çfarë do të ndodhë.
Do të pranonit edhe ndonjë huazim?
Ja të mbyllim ndeshjet me Kombëtaren dhe më pas të shohim se çfarë do të na sjellë e ardhmja.