Grubi: Është dakorduar Kodi Zgjedhorë, së shpejti në procedurë parlamentare

BDI-ja sipas deputetit të saj Artan Grubi mbështet të gjitha ligjet që janë në procedurë parlamentare, andaj kërkon edhe nga partitë tjera që të kontribuojnë në miratimin e këtyre ligjeve që kështu t’i hapin rrugë shpërbërjes së kuvendit dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Marketing

“BDI në tërësi i përkrah të gjitha ligjet që janë në procedurë, miratimin e tyre sa më të shpejtë, mundësisht edhe sot. Përkrah Ligjin për media, për mbrojtje, lojërat e fatit, dhe gjithë ligjet tjera që janë në procedurë përfshi edhe atë të Ligjit për Prokurori de Këshillit të Prokurorëve dhe kërkojmë që të miratohen që sot. Urojmë që të gjithë të japin kontributin e vet për miratimin e këtyre ligjeve dhe për shkarkimin e ministreshes dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Grubi gjithashtu hodhi poshtë zërat për mospajtime me partnerin e koalicionit qeveritarë, LSDM.

“BDI-ja ligjin për Prokurori dhe ligjin për Këshillin e Prokurorëve nuk kushtëzon me kurrfarë ligji dhe kurrfarë procedure, as me Kodin Zgjedhorë. Miratimin e Ligjit për Prokurori Publike ne deputetët e BDI-së njëzëri do ta votojmë, edhe Ali Ahmeti do të vij nga Kërçova për të votuar ligjin në fjalë”, tha Grubi duke shtuar se gjithashtu do të mbështesin edhe shkarkimin e ministres Rashella Mizrahi.

“Nuk mund të lejojmë shkelje të Marrëveshjes së Prespës dhe dygjuhësisë, andaj do të votojmë për shkarkimin e ministres Rashella Mizrahi”, tha Grubi.

“Tashmë është dakorduar Kodi zgjedhor dhe është nënshkruar nga të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare. Së shpejti pritet hyjë në procedurë. Në të janë të gjithë ndryshimet nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe është pranuar edhe amendamenti i BDI-së për ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore. Konkretisht disa vendvotime do të kalojnë nga njësia e gjashtë në njësive e pestë. Janë vendvotime të Dibrës dhe Movrovë-Rostushës”, tha Grubi.