Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi, ministri i Financave
z.Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë z.Kreshnik Bekteshi dhe ministri i
Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor z.Naser Nuredini takuan
krerët e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP).
Gjatë këtij takimi nga ana e ministrave u tha se bashkëpunimi i Qeverisë
me Odën Ekonomike Veri-Perëndimore gjatë mandatit të ri katër vjeçar do
të thellohet edhe më tepër dhe se Qeveria do të vazhdojë të jetë partner
i bashkëpunimit në arritjet e qëllimeve strategjike ekonomike të
OEMVP-së.
Zëvendëskryeministri i parë, z.Artan Grubi bashkë me ministrat e tjerë u
ka thënë përfaqësuesve të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore se prioritet i
qeverisë është dhe do të mbetet ekonomia por edhe drejtësia në vend duke
shtuar se Qeveria do të punojë që në Maqedoni të Veriut të ketë zhvillim
të barabartë rajonal.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi bashkë me ministrat dhe përfaqësuesit
e OEMVP-së nuk mbetën pa diskutuar edhe vendimin e Bashkimit Evropian që
gjatë katër viteve të ardhshme do të ndaj 9 miliard euro për Evropën
Juglindore.
Të dyja palët u shprehën të kënaqura që këto mjete do të përdoren për
rindërtimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhave por edhe në fushën e
energjetikës. Bashkë erdhën në përfundim se me këtë hap, Bashkimi
Evropian po vë firmën mbi Maqedoninë e Veriut, përkatësisht rajonin
tonë.
Kryetari i OEMVP-së, z.Nebi Hoxha, i shoqëruar nga kryetar i nderit
z.Xhemail Dauti dhe anëtari i këshillit drejtues z.Arsim Papraniku gjatë
këtij takimi informuan ministrat se pandemia globale COVID-19 që u
përhap në të gjitha sferat e jetës, në veçanti në fushën e ekonomisë,
bëri që mijëra kompani të humbasin tregjet dhe klientët e tyre, të
përballen me humbje dhe një përqindje e konsiderueshme e tyre të
pushojnë së funksionuari.
Në fund të këtij takimi mes zëvendëskryeministrit Grubi, ministrave
Besimi, Bekteshi dhe Nuredini me përfaqësuesit e Odës Ekonomike
Veri-Perëndimore u tha se është për tu përshëndetur hapi i OEMVP-së që
të përshtatet me “normalen e re”, ridrejtimin e resurseve dhe zgjerimin
e fushës së veprimit në kushte të tilla të vështira.