Grubi, Carovska dhe Ademi, pajtueshmëri për tërheqjen e librit të gjeografisë

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, zhvilloi një takim pune me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, dhe ish ministrin, Arbër Ademi, ku u diskutua për koncepcionin e reformave në arsim dhe për Ligjin për Librat Shkollorë për Arsim Fillor dhe të Mesëm. Ata me këtë rast u dakorduan që në përputhje me Ligjin për Librat Shkollorë për Arsim Fillor dhe të Mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme.
“Tre bashkëbiseduesit gjithashtu u dakorduan se në rastin konkret, me librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me librat tjerë, do të aplikohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollorë.”,- thuhet një njoftimin e lëshuar nga kabineti i Grubit.
Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteve shkollorë nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, gjithashtu u pajtuan se “në kuadër të këtij vendimi gjatë periudhës në vijim do të shqyrtohen të gjitha tekstet e tjera shkollore me qëllim që njëherë e mirë t’u jepet fund këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto tekste shkollore”, thuhet në njoftim.
Libri i gjeografisë për vitin e dytë ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin shqiptar në vend, pasi shqiptarët i quan okupatorë, apo me prejardhje rome, maqedonase dhe turke. Edhe opozita shqiptare ASh-Alternativa ditë më parë i ka dërguar një shkresë ministres së arsimit me kërkesë për tërheqjen nga përdorimi i këtij libri, pasi i njëjti ka përmbajtje ofenduese dhe të pavërteta historike për shqiptarët.
Marketing