Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi realizoi takim pune me
homologun e tij nga Republika e Kosovës,
zëvendës kryeministrin e parë z.Besnik Tahiri.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi në deklaratën e tij për media tha se
me kolegun e tij Tahiri kanë diskutuar për ecurinë euro-atlantike të
Kosovës dhe atë evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai
gjithashtu tha se praktikat më të mira të vendit tonë do t’i vëmë në
dispozicion të institucioneve të Kosovës.
“Fqinjësia jonë është e shkëlqyer, Kosova me Maqedoninë e Veriut nuk
kanë asnjë çështje të hapur, përkundrazi marrëdhëniet tona janë të
jashtëzakonshme dhe do të vazhdojmë t’i kultivojmë në mënyrën e njëjtë.
Lidhur me pandeminë, diskutuam me zëvendëskryeministrin Tahiri dhe
qëndrimi im është se kufijtë tanë duhet të liberalizohen për nga
shembulli i kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë të cilat janë të hapura
dhe keni lëvizje të jashtëzakonshme mes dy vendeve, në veçanti gjatë
sezonit turistik dhe transmetimi i infektimeve me COVID-19 nga Shqipëria
në Kosovë apo anasjelltas ishte minimal dhe ky shembull duhet të na
shërbej dhe neve për t’i liberalizuar kufijtë, jo vetëm me fqinjin tonë
Kosovën por edhe me fqinjët tjerë përreth,” deklaroi Grubi.
Ndërkohë zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës
Besnik Tahiri tha se me Grubin ka diskutuar për tre tema që kanë rëndësi
të madhe për Republikën e Kosovës e për të cilat ka marrë garanci nga
Grubi se do të jenë në ndihmë të tyre.
“E para është procesi i integrimit Evropian dhe marrja e shembullit të
Sekretariatit të Maqedonisë së Veriut edhe për Kosovën. Pika e dytë ka
të bëjë me rrugën 12 km, pra segmenti Shkup-Bllacë i cili për ne është
shumë i rëndësishëm pasi që mendoj se kjo rrugë do të lidhë edhe më
shumë dy vendet tona duke ndihmuar lëvizjen e njerëzve por edhe
bashkëpunimin ekonomik, këtu mora zotime se punët kanë filluar. Pika e
tretë ka të bëjë me pandeminë, për mua është e palogjikshme që ne të
kemi një sistem të testimit dypalësh derisa me Shqipërinë kemi kufi të
hapur është e hapur, mendoj se duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë,
normal duke ruajtur shëndetin publik që të lehtësojmë komunikimin e
qytetarëve.
Të dy zëvendëskryeministrat e parë Grubi dhe Tahiri ranë dakord se
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë dhe do të
vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe që synim i të
dyja vendeve është integrimin në Bashkimin Evropian.