Grubi: E di se ka deputetë nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët do t’i përkrahnin ndryshimet kushtetuese

Anëtari i Këshillit qendror të Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi, para fillimit të seancës së Kryesisë qendrorë të partisë në Reçicë të vogël, tha se e din se ka deputetë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, të cilët do t’i përkrahnin ndryshimet kushtetuese.

Marketing

“Prej sot mendoj se duhet të fillojmë me përpjekjet tona, duke i bërë thirrje edhe opozitës maqedonase që t’i bashkëngjitet përpjekjeve për Maqedoni të Veriut evropiane. Jo që mendoj, por e di se ka deputet nga VMRO-DPMNE-ja të cilët do t’i përkrahnin”, tha Grubi.

Në pyetje të gazetarëve që t’i komentojë deklaratat e VMRO-DPMNE-së se pushtetit i mungojnë 10 deputetë, Grubi u përgjigj se këtë e thonë njerëz, të cilët nuk janë deputetë.

Duke i komentuar informatat se një deputet i BDI-së ka kërkuar para që të votojë për ndryshimet kushtetuese, Grubi demantoi, duke potencuar se nuk ka asnjë deputet në BDI, as shqiptar në shumicën progresive parlamentare, që i kushtëzon ndryshimet kushtetuese për Maqedoni të Veriut evropiane.

“Absolutisht nuk janë të vërteta. Nuk ka deputet në BDI, as shqiptar ose kushdo tjetër në shumicën progresive parlamentare, i cili do t’i kushtëzojë ndryshimet kushtetuese për Maqedoni të Veriut evropiane. Mendoj se adresa është në ndonjë vend tjetër, e ajo është në selinë e VMRO-DPMNE-së. Prej sot, ne fillojmë me përpjekjet për sigurimin e shumicës parlamentare siç e bëmë këtë edhe në rastin paraprak ,e Marrëveshjen e Prespës. Jam i bindur se do të arrijmë sukses edhe tani, pasi që kemi kontakte me opozitën dhe e shohim disponimin. Një gjë është ajo që e thonë liderët e tyre, të cilët nuk janë deputetë, ndërsa diçka tjetër është atë që e thonë ata që janë deputetë”, tha Grubi.