Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot takoi përfaqësuesit
e shoqatës për persona me nevoja të posaçme “Bashkë mundemi” në Gostivar
dhe përfaqësuesit e Qendrës së autizmit “Fluturo për Jetën” në Tetovë.
Gjatë këtij takimi z. Grubi me udhëheqësit e këtyre shoqatave biseduan
për punën që ata bëjnë dhe mënyrën e funksionimit në këtë periudhë të
vështirë që ka kapluar jo vetëm vendin tonë por edhe mbarë botën.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi fëmijëve me nevoja të posaçme të
këtyre shoqatave iu dhuroi paketa me dhurata me rastin e festave të fund
vitit.
“Është përgjegjësi e të gjithë neve që t’ju gjendemi pranë prindërve të
fëmijëve me nevoja të veçanta dhe i sigurova që në Qeverinë e Republikës
së Maqedonisë së Veriut do ta kenë derën e hapur për të gjitha nevojat e
tyre dhe jemi këtu për t’ju shërbyer atyre në përditshmëri. Kishim një
vit të vështirë, të gjithë bashkë si shoqëri, por në veçanti prindërit e
fëmijëve me nevoja të veçanta dhe shpresoj se vitin e ardhëm me
tejkalimin e pandemisë do të përqendrohemi edhe në lehtësimin e
përditshmërisë së këtyre fëmijëve”, ka thënë Grubi.
Në përmbyllje të këtyre dy takimeve zëvendëskryeministri i parë dhe
ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z.
Artan Grubi ka thënë se angazhimet e lëvizjeve për të drejtat e
personave me nevoja të posaçme në veçanti fëmijëve të kësaj kategorie
mundësojnë krijimin e një shoqërie në të cilën këta fëmijë janë qytetarë
të barabartë dhe të integruar në shoqëri.
Grubi gjithashtu ka thënë se ai dhe ekipi i tij do të mundohen të jenë
një zë i fuqishëm dhe korrektor i masave për këtë kategori të fëmijëve
dhe se ai do të përkrah çdo nismë për ngritjen e çështjes së fëmijëve me
nevoja të veçanta.