Grubi: Fokusohemi tek rinia dhe kthimi i drejtësisë

Muhamet Zekiri u konfirmua se nuk i transmeton qëndrimet partiake dhe nuk ka dijeni për marrëveshjet dhe bisedimet BDI-LSDM. Është vet ish-kryeministri Zoran Zaev që në disa raste, i ka demantuar sulmet dhe qëndrimet individuale të Zekirit. Kështu është shprehur sekretari organizativ i BDI-së, Aran Grubi në emisionin Click Plus në TV21, ndërsa ka thënë se qëndrimet e BDI-së janë konzistente dhe të qëndrueshme.

Marketing

“Në kemi preferenca që në vitin 2002. Preferenca e vetme e BDI-së është vullneti i qytetarëve shqiptarë, por edhe të tjerëve. Madje, pse jo që të udhëheqim edhe me Qeverinë, me postin e kryeministrit. Dikur, askush nuk besonte se kryetari i Parlamentit mund të jetë shqiptarë, por sot e kemi z.Talat Xhaferin në krye të Parlamentit. Dikur askush nuk besonte se kryetari i Gjykatës Supreme mund të jetë shqiptarë, ashtu sikurse në shumë institucione të rëndësishme të shtetit”, ka thënë Grubi, ndërsa ka folur për politikat e ardhshme të BDI-së.

“Ne po fokusohemi në rininë, në vende të reja pune, në ndalimin e migrimit, në kthimin e drejtësisë me anë të vetingut të policisë, gjyqësisë dhe zyrtarëve tjerë shtetëror. Ne kemi krijuar kushte për të punësuar mbi 25 mijë shqiptarë. Shqiptarë sot ka në të gjitha institucionet. Prandaj edhe kemi themeluar dy universitete dhe përfaqësimi është i drejtë dhe adekuat”, tha Grubi, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat se BDI nuk reformohet me struktura të reja.
“Nuk mbajnë akuzat se nuk po rifreskohemi. Kemi komplet një Forum Rinor të ri. Realizuam një Kongres fantastik të Forumit të Gruas. Rianëtarësim të strukturave, kryesisht të rinj. BDI ka rifreskuar në tërësi, në të gjitha strukturat partiake. Pjesa e madhe e Degëve dhe Nëndegëve sot udhëhiqen nga kuadro të rinj…”, tha Grubi.

Sekretari organizativ i BDI-së, në pyetjen e gazetarit nëse janë vendosur emrat e kandidatëve të BDI-së për deputetë si bartës listë, ka thënë se emrat që po publikohen së fundmi në media, janë të pavërteta.

“Në momentin në të cilin po flasim, gjitha emrat që po spekulohen, janë të pasakta. Për momentin, vetëm z.Ali Ahmeti është i sigurt si bartës i listës në Njësinë e gjashtë zgjedhor. Si sekretar organizativ, u kam kërkuar të gjitha degëve të BDI-së që të mbajnë mbledhje dhe në afat prej pesë ditësh, të sjellin listave nominime për kandidatë për deputetë, që më pas Kryesia dhe organet e partisë të shqyrtojnë të njëjtat. Kështu që, tani për tani, vetëm spekulime janë emrat që publikohen”, tha Grubi.