Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi me rastin e festave të fund vitit ka vizituar fëmijët e Shkollës Fillore për fëmijë me nevoja të veçanta “Ardhmëria-Idnina” në Komunën e Çairit dhe fëmijët parashkollorë të çerdhes Fidani.
Grubi me këtë rast, u ka ndarë paketa me dhurata fëmijëve duke ju dëshiruar që të ritën e të bëhen të zotë dhe të aftë për veten e tyre dhe për gjithë shoqërinë.
Gjatë takimit me përgjegjësit e këtyre institucioneve arsimore, zëvendëskryeministri i parë Grubi ka biseduar për aktivitetet dhe mënyrën e funksionimit në këtë periudhë të vështirë me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19 që ka kapluar jo vetëm vendin tonë por edhe mbarë botën.
Grubi me këtë rast ka thënë se është përgjegjësi e të gjithëve që t’ju gjendemi pranë fëmijëve, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta. Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut fëmijët me nevoja të veçanta, por edhe të gjithë fëmijët tjerë kanë derën e hapur dhe aty do të gjejnë përkrahësin e tyre më të fuqishëm.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjithashtu ka thënë se viti 2020 ishte një vit i vështirë për gjithë shoqërinë e në veçanti për prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta. Grubi shpreson se gjatë vitit 2021, me tejkalimin e pandemisë, Qeveria e RMV-së do të përqendrohet edhe më shumë në lehtësimin e përditshmërisë së këtyre fëmijëve.