Grubi: Marrëveshja e Ohrit, të trajtohet si trashëgimi kulturore

Në kuadër të 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Instituti i trashëgimisë Shpirtërorë e Kulturore të shqiptarëve në Shkup në bashkëpunim me Ministrinë për Sistem Politik organizoi tribunë me temë: “Shkupi i adresave të reja shqiptare, reflektimi i marrëveshjes së Ohrit”. Drejtori i këtij Instituti Skender Asani duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje tha se është shprehje historike mes epokave, duke vlerësuar se nuk i plotëson aspiratat e popullit shqiptarë ndër shekuj.

Marketing

“Në MO jo rastësisht bashkësia ndërkombëtare e ka futur trashëgiminë kulturore sepse vetëm në qoftë se shqiptarët ndjehen të sulmuar dhe të ngacmuar për trashëgiminë kulturore atëherë Maqedonia nuk do të ketë një perspektivë të qartë dhe Maqedonia do të zhytej në konflikte si element i cili do të shpërbëhej”, tha Asani.

Zv/Kryeministri i parë dhe Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi kërkoi nga ITSHKSH që MO të trajtohet si trashëgimi kulturore shqiptare, duke kujtuar opinionin se edhe nëpër cilat institucione shtetërore flitet shqip.

“Desha të ju lus pikërisht këtu ku jemi ne sot në ITSHKSH, ta trajtoni marrëveshjen e Ohrit si trashëgimi kulturore e shqiptarëve dhe të bëni një studim të mirëfilltë, pikërisht duke nisur në 20 vjetorin, e duke krahasuar i dashur Emin si ka qenë e si është sot. Në Qeveri flitet shqip, në Kuvend flitet shqip, hyni në ueb faqen e presidentit çdo gjë është edhe shqip. Jo më larg se dje në shënimin e Ilindenit jehonte kënga e vallja shqipe mu në mes të Krushevës”, deklaroi Grubi.

Në tribunë u fol edhe për emërimin e rrugëve të Shkupit me emra të heronjve shqiptar. Asani tha se nuk ka marrëveshje tjetër në historinë e popullit shqiptarë që ndërmjetësues është faktori ndërkombëtar. Fjalën e morën edhe studiuesi në ITShkSh Emin Azemi, stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, këshilltari Besnik Ajeti dhe me një video-prezantim nga SHBA u paraqit edhe studiuesi David Hosaflook.