Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, bashkë me anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit, realizuan takim me deputetët francezë në Kuvendin Nacional të Francës, znj. Liljana Tangi dhe z. Zhak Mer, në shoqërim të ambasadorit të Francës në Maqedoni z. Kristian Timonie.
Në takimin z. Grubi, duke u falënderuar për mbështetjen franceze për proceset tona eurointegruese, informoi për detyrat e kryera suksesshëm në fillim të vitit, me theks të veçantë në amendamentet e miratuara kushtetuese, me të cilat u implementua Marrëveshja e Prespës. Njëkohësisht, shfaqi shpresë se edhe pala greke do ta ratifikojë këtë marrëveshje, me ç’rast do të tejkalohet bllokada nga ana e palës greke për marrjen e datës për fillimin e negociatave. Sa i përket realizimit të reformave në sundimin e së drejtës, e të cilat i kërkon prej nesh BE-ja, informoi edhe për Ligjin e miratuar të paradokohshëm për luftë kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, si dhe për shumë ligje nga sfera e jurisprudencës, të cilat janë në procedurë të Kuvendit. Për punën e Komisionit për Çështje Evropiane, theksoi se është për t’u përshëndetur që në Komisionin arrihet konsensus për çështjet e BE-së ndërmjet opozitës dhe partive në pushtet.
Deputetët francezë e përshëndetën miratimin e amendamenteve kushtetuese, si hap i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, dhe e vërtetuan gatishmërinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e mëtejshme në proceset eurointegruese nga ana e Francës. Në këtë kontekst, theksuan se për realizimin e suksesshëm të negociatave për anëtarësim në BE së pari me rëndësi është administrata cilësore dhe profesionale, si për përgatitjen e ligjeve të BE-së, ashtu edhe për zbatimin e tyre. Për këtë shkak, informuan se Franca është e gatshme t’i ndihmojë Maqedonisë në dhënien e ndihmës profesionale dhe të ekspertëve për përgatitjen e administratës në vend, dhe se në rrjedhë është projekti për mbështetjen e reformave në këtë sferë në nivel qeveritar.
Në takim, fjalime kishin edhe deputetet: Ivana Tufegxhiq, Zhaklina Peshevska, Elizabeta Kançevska Milevska dhe Jagoda Shahpaska, Snezhana Kaleska Vançeva, Juliana Nikollova të cilat informuan për rezultatet e arritura në lidhje me miratimin e ligjeve reformuese në sferën e shërbimit të zbulimit dhe reformave në shërbimet e sigurisë, si dhe reformave në administratën publike në Kuvend. Për këtë shkak, ishte theksuar, se vendi duhet të marrë datë për fillimin e negociatave, për çka kërkuan mbështetjen franceze në Samitin e Këshillit në qershor në Bukuresht.