Grubi pret ambasadorin polak Ticinjski: Maqedonia e Veriut po ecë në drejtim të duhur

Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim në rrugën drejt integrimit në
Bashkimin Evropian. Zbatimi i reformave do të vazhdojë pa ndal me qëllim
që vendi të jep sinjal pozitiv tek partnerët evropian.

Marketing

Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për
Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive z.Artan Grubi gjatë
takimit me ambasadorin e Polonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
z.Vojcieh Ticinjski.

Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për
bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për marrëdhëniet e mira miqësore midis
dy vendeve, ku theks i veçantë u vu në mbështetjen e qartë të Polonisë
sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësimin e vendit në
Bashkimin Evropian, duke mos harruar dhe bashkëpunimin e mirë si aleatë
të NATO-së si dhe gatishmërinë e Polonisë për të këmbyer përvojat e saja
në rrugën drejt anëtarësimit në BE-së, rrugë kjo që është e mundimshme
por ia vlen për të ardhmen e qytetarëve.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjithashtu i ka thënë ambasadorit
Ticinjski se institucionet funksionale, të cilat në mënyrë transparente
dhe aktive po punojnë në realizimin e reformave që janë në interes të të
gjithë qytetarëve dhe procesit të integrimit të vendit në Bashkimin
Evropian janë dhe do të mbeten përcaktim i Qeverisë së Republikës së
Maqedonisë së Veriut.

Grubi dhe Ticinjski nuk mbetën pa biseduar edhe për situatën e krijuar
në vend por dhe në mbarë botën me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19. Të
dy bashkë u pajtuan se vendi duhet të bëj përpjekje maksimale me qëllim
menaxhimin sa më të suksesshëm të situatës me virusin COVID-19 me qëllim
që të mund sa më shpejt t’i kthehet normalitetit.

Grubi para ambasadorit të Polonisë Ticinjski gjithashtu përsëriti
qëndrimin e tij se pa mbisundimin e ligjit dhe eliminimin e drejtësisë
selektive nuk mund të kemi një zhvillim ekonomik dhe investime me
kushtet të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, por i tha
ambasadorit se kjo do të arrihet përmes transparencës së plotë dhe
vetingut ndaj bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe
prokurorëve.