Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot në kabinetin e tij
takoi ambasadorin e ri të Francës, z. Siril Bomgartner.
Në këtë takim, Grubi i theksoi bashkëbiseduesit se Maqedonia e Veriut
gjatë viteve të fundit ka shënuar përparim të dukshëm në drejtim të
vendosjes dhe respektimit të vlerave Evropiane dhe që vendi edhe në të
ardhmen do të vazhdojë të lëvizë në po të njëjtën rrugë.
Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për hapat konkret të
ndërmarrë me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh midis
Maqedonisë së Veriut dhe Francës edhe atë rritjes së bashkëpunimit
ekonomik midis dy vendeve tona.
Grubi dhe Bomgartner diskutuan rreth konferencës së parë ndërqeveritare
me shpresë që e njëjta të mbahet në dhjetor siç ishte planifikuar bashkë
me Brukselin.
Grubi gjithashtu theksoi se të gjitha të arriturat e vendit tonë janë në
bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtar, andaj dhe theksoi nevojën
për ndihmesën e Bashkimit Evropian me qëllim tejkalimin e situatës së
panevojshme të krijuar me Bullgarinë.
Qytetarët e vendit tonë kanë bërë sakrifica të mëdha për ëndrrën tonë të
përbashkët euroatlantike andaj dhe meritojnë që ta shohin dhe ndjejnë
edhe shpërblimin dhe solidaritetin nga Bashkimi Evropian.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori francez Bomgartner nuk
mbetën pa diskutuar edhe për masat e marra lidhur me krizën shëndetësore
dhe ekonomike që tashmë ka shkaktuar COVID-19 si dhe për mënyrat më të
mira me qëllim rimëkëmbjen pas kësaj situate që ka kapluar dy vendet
tona por dhe gjithë botën.