Grubi priti në takim ambasadoren e Suedisë në vend, Ami Larsson Jain

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi ka pritur sot në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Suedisë në vend, znj. Ami Larsson Jain, të cilës i ka uruar mision të suksesshëm diplomatik në vendin tonë.

Marketing

Grubi dhe Larsson Jain kanë bashkëbiseduar rreth raporteve të mira bilaterale mes të dyja vendeve, vendimeve të rëndësishme që ka ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të ndërtuar themelet e shëndosha të një shoqërie demokratike mbi vlerat e barazisë dhe demokracisë konsensuale, si dhe për të realizuar synimin e integrimit në strukturat euro-atlantike përmes Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, Grubi njoftoi ambasadoren Larsson Jain për progresin që ka shënuar vendi në rrugën drejt Bashkimit Europian me hapjen e negociatave të integrimit, duke shprehur faleminderim për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen progresive të vendit.

Gjatë takimit është shprehur edhe rëndësia e madhe е avancimit të rrugës së integrimit, me ç’rast Grubi ka njoftuar ambasadoren suedeze për përkushtimin e Qeverisë properëndimore të vendit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, përgatitjet intenzive që po realizohen për procesin e skriningut që do të fillojë më 7 Nëntor të këtij viti dhe fokusin e vazhdueshëm në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupcionit.

Ambasadorja Larsson Jain ka shprehur faleminderimin e saj për përkrahjen e madhe që vendi ynë i jep integrimit të Suedisë në NATO dhe përkrahjen e plotë të vendit të saj në të gjitha proceset e nevojshme të zhvillimit dhe integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.