Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi gjatë një interviste për emisionin Info Magazine të televizionit Klan Kosova ka deklaruar se procesi i regjistrimit për dallim nga çdo vend tjetër në botë, në Maqedoni të Veriut ka kuptim të dyfishtë, edhe politik edhe statistikor.
Sipas Grubit ky proces ka rëndësi politike pasi që të drejtat e komuniteteve varen nga përqindja në të cilën janë të përfaqësuar në komunën ku jetojnë apo në shtet. Në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese gjuha shqipe është gjuhë zyrtare për arsye se e flasin më tepër se 20% e popullatës në RMV, njëjtë ndodh edhe me flamurin kombëtar, nëse je mbi 50% mund ta përdorësh flamurin kombëtar shqiptar në mënyrë zyrtare dhe të papenguar në përputhje me ligjin.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi ka përsëritur edhe njëherë rëndësinë e e procesit të REGJISTRIMIT në Maqedoni të Veriut dhe ka bërë ftesë që të regjistrohen të gjithë shqiptarët pasi që për herë të parë është mundësuar me ligj që të regjistrohet edhe DIASPORA përmes ueb faqes së Entit statistikor, ku mund të vet regjistrohen dhe të regjistrojnë të gjithë anëtarët e familjes që jetojnë në mërgim.
Grubi nuk ka mbetur pa sqaruar edhe njëherë se procesi i REGJISTRIMIT në RMV ka filluar me 1 mars dhe përfundon me 21 prill, ndërsa për popullatën rezidente fillon me 1 prill dhe vijon deri më 21 prill. Përveç mundësisë së byvet regjistrimit të DIASPORËS edhe anëtarët e tyre të familjes të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut do të kenë mundësinë që të regjistrojnë bashkë familjarët e tyre që jetojnë në mërgatë nga data 1 prill e deri më 21 prill.