Grubi përmes nje fjalimi emocionues duke folur për problematikat aktuale botërore, përmendi se shqiptarët nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj situatës aktuale në konfliktin Rusi-Ukrainë, sepse sipas tij, imazhet aktuale na rikthejnë në luftën për rezistencë dhe liri që Kosova e bëri në vitet e 90-ta.
“Në kohë të trazuara si kjo që po kalojmë tash, ende të pa rikuperuar sa duhet nga pasojat e pandemisë, vëmendja dhe shqetësimi ynë tashmë janë përqendruar edhe në frontin e hapur të luftës në Ukrainë, ku sulmohen themelet e paqes dhe sigurisë kontinentale, ose më saktë, ku rendi botëror është nën kërcënim. Kur ngjarje të tilla të tmerrshme përsëriten, pavarësisht nëse ndodhin afër apo larg nesh, ne, që fatkeqësisht kemi kaluar përvoja të tilla të ngjashme, nuk mund t’i shikojmë këto ngjarje me gjakftohtësi si spektatorë. Nuk është vetëm zhurma e avionëve, tankeve dhe artilerisë që e dëgjojmë përmes lajmeve mediatike, por kjo është një thirrje e fuqishme që kërkon drejtësi, paqe, liri dhe t’i jepet fund shkatërrimit. Shkatërrimet dhe viktimat në Ukrainë na kujtojnë shkatërrimet dhe viktimat në luftërat e përgjakshme që ndodhën në vitet ’90 në vendet tona. Fatkeqësisht ka ende njerëz që nuk kanë mësuar nga ngjarjet e trishtueshme nga fatkeqësitë e luftërave të kaluara, nga veprat e tmerrshme të ideologjive të liga dhe regjimeve shkatërruese që lanë shumë rrënoja, si në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ashtu edhe në atë metaforik. Historia e kontinentit tonë fatkeqësisht shënon 2/3 e periudhave të kohës me luftëra dhe vetëm 1/3 e periudhës me paqe. Prandaj, të gjithë ne sëbashku duhet të përpiqemi për një jetë dinjitoze dhe pa kërcënime ku vëmendja jonë do të përqendrohet në cilësinë e jetës. Prishtina dhe e gjithë Kosova gjithashtu kanë përjetuar mizori të tilla të tmerrshme”, deklaroi Grubi.
Zëvendëskryeministri i parë u shpreh se duhet angazhim shoqëror për të shëruar plagët që la lufta pas vete, duke nisur nga personat e zhdukur gjatë luftës e deri tek dhunimet.
“Viktimat e luftës dhe të pagjeturit, fatkeqësisht nuk përfundojnë vetëm tek lapidaret e dëshmorëve, por edhe në jehonën e dhimbjes e të dashurve të tyre që nuk ndalet as me kalimin e viteve. Jehona e plagëve të mijëra vajzave dhe grave që u bënë viktima të dhunës është kaq e zhurmshme. Shërimi i plagëve të tyre është një mision i rëndësishëm shoqëror, e jo vetëm individual. E di, kjo është një temë e dhimbshme dhe ne duhet të përulemi para guximit të atyre grave që kanë kontribuar sadopak për ndërgjegjësimin e shoqërive tona duke folur hapur për atë që kanë përjetuar, për të hedhur poshtë paragjykimet mbi viktimat e dhunës ndaj grave në luftëra”, u shpreh Grubi.