Grubi: Të ruhet gjuha e të parëve, si vlerë në mesin e gjuhëve europiane

Me rastin e manifestimit për “Ditët e Alfabetit”, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi ka marrë pjesë në promovimin e studimit “Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve të vitit 2019”.

Marketing

“Shkrim-leximi është një dritë për çdo njeri dhe askush nuk duhet të përjashtohet nga kjo e drejtë themelore e njeriut. Çdokush duhet të jetë i vetëdijshëm se vetëm në këtë mënyrë duhet të investojmë bashkërtisht në vlera reale për të lënë gjurmë se kemi investuar për gjeneratat e ardhshme. Është nder i veçantë për mua të drejtohem në këtë promovim të studimit ‘Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve të vitit 2019’, që do të mbetet vlerë e shtuar kombëtare për të gjithë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm. Më kujtohet si sot se debati mbi këtë ligj në Komisonin për Çështje Europiane në Kuvend ishte i ashpër. Shumë frikë, shumë pasiguri dhe shumë të pavërteta u thanë nga ata që e kundërshtonin të njëjtin, edhe përkundër tyre, Ligji u miratua dhe sot gëzon implementim të barabartë me ligjet tjera në vend”, ka deklaruar Zëvendëskryeministri i parë Grubi.

Sipas tij, ky studim do të ngel një kujtim i rëndësishëm për shumë e shumë gjenerata pas nesh.

“Më gëzon fakti që pikërisht në kuadër të ngjarjeve për “Ditët e Alfabetit”, ne i japim rëndësi të veçantë dhe konfirmojmë përcaktimin e Qeverisë për respektimin dhe avancimin e diversitetit etnik dhe kulturor në vend, si një prej ngjarjeve kyçe të historisë së popullit shqiptar. Përgëzoj punën e Agjencisë dhe Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, dy institucione të cilat burojnë nga ky ligj, që në mënyrë të përpiktë zbatojnë dispozitat e Ligjit. Ky studim pa dyshim se do të ngel një kujtim i rëndësishëm për shumë e shumë gjenerata pas nesh. Në fund, shfrytëzoj këtë rast që të gjithë juve, popullit shqiptar t’ju uroj 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit, si një nga datat më të rëndësishme të kombit tonë”, ka theksuar Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.