Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se nuk ka nevojë për thirrjen e tryezës së përbashkët të partive politike shqiptare në prag të referendumit. Integristët këmbëngulin se Marrëveshja me Greqinë nuk ka zbehur identitetin shqiptarë në Maqedoni por e ka bërë të kundërtën.
Artan Grubi, u bën thirrje të gjithë partive shqiptare që të fokusohen në suksesin e referendumit, dhe siç thotë ai, të lihen anash politikat ditore. Sipas tij, takimi i vetëm i mundshëm mes partive politike shqiptare do të ishte i kalibrit informativ e jo tryezë nga e cila do të dilnin kërkesa për ndryshime kushtetuese apo ndryshim të Marrëveshjes me Greqinë.
Kjo temë është e ezaururar, është tashmë e konsumuar sepse të gjithë ne jemi pro NATO-s dhe BE-së. Do të takohemi njëri me tjetrin për ta konfirmuar që jemi pro NATO-s dhe BE-së. Nuk ka nevojë, sipas vlerësimit tonë në këtë moment, sepse kjo është përcaktim i votuesve dhe qytetarëve tanë shqiptarë dhe nuk kemi ne se çka të kalkulojmë me dëshirën e votuesit shqiptarë në RM.
Ata duan që ta përkrahin referendumin, ata e duan integrimin në NATO dhe BE prandaj nuk shohim hapësirë për zhvillim të politikave ditore në lidhje me një çështje kaq madhore”- tha Artan Grubi – Bashkimi Demokratik për Integrim.