Bashkimi Demokratik për Integrim si bartës i propozim ligjit për vetingun, tash më ua ka dorëzuar të njëjtin të gjitha subjekteve politike parlamentare me ç’rast tani pason procedura e negociimit rreth draft tekstit të ligjit.
Deputeti i grupit parlamentarë të BDI-së, Artan Grubi për TVM2 ka pohuar se Agjencia e cila duhet të kryejë vetingun do të ketë për detyrë i kontrollojë të gjithë funksionarët aktual, si dhe kandidatët që pretendojnë të marrin detyrë publike. Sipas Grubit, institucionet përkatëse kanë bërë kontrollin e bartësve të funksioneve publike por pasi që ata të jenë zgjedhur, kurse propozim ligji aktual parashikon që kontrolli të bëhet para se ata të zgjidhen.
“Kontrolli do të bëhet në shumë institucione në vend, duke përfshirë Drejtorinë për tatime, Policinë Financiare, Gjykatat, Prokuroritë, Komisionin për parandalimin e Korrupsionit dhe Luftë kundër interesave, kadastra dhe shumë institucione të tjera, ku parashihet të shtypet një certifikat për secilin individ i cili konkurron ose është bartës për momentin të vërtetohet se çfarë prone ka, çfarë procedurash gjyqësore ka kaluar gjatë gjithë jetës së tij, dhe në mënyrë shumë transparente do t’i paraqitet qytetarit se ky ose kjo kandidate po konkurron për vendin përkatës, dhe ato janë që do të zgjedhin” – deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Profesori universitar Mersim Maksuti është dakord që të bëhet veting, por fillimisht duhet të përmbushen disa parakushte, të sigurohet legjislacion përkatës juridik pa të cilin vetingu vështirë se mund të realizohet.
Maksuti gjithashtu kërkon funksionimin e sistemit të drejtë të gjyqësorit dhe drejtësisë, sepse vetëm drejtësia dhe gjyqësia e sinqertë bën vetingun e politikës dhe politikanëve.
“Fillimisht duhet të sigurohet një bazë ligjore juridike, mbi bazën e së cilës mund të bëhet vetingu në politikë, pra të sigurohen ligjet, me ndryshimet përkatëse të cilat do të garantojnë një proces të tillë të sinqertë dhe objektiv deri në fund. Pastaj pa mëdyshje vetingut në politikë, duhet ti prijë vetingu në gjyqësi, pra të pastrohet pushteti gjyqësor nga gjithë njerëzit e korruptuar, sepse në fund të fundit drejtësia dhe gjyqësia është ajo që bënë vetingun e politikës dhe politikanëve. Pastaj pas pastrimit të gjyqësisë, apo vetingut ë gjyqësi, duhet të ngrihen institucione të veçanta, pra mekanizma institucional, të cilat si organe të posaçme do ta bëjnë vetingun në politik“ – tha profesori universitar, Mersim Makusti.
Profesori universitar Mersim Maksutit thotë se nevoja për tu plotësuar kriteret e lartpërmendura si dhe sigurimi i instrumenteve juridike janë parakushti kryesor për veting të suksesshëm, në të kundërtën i njëjti rrezikon të shndërrohet në një proces për nevoja politike.
Nga BDI thonë se propozim ligji do të dorëzohet në Kuvend gjatë ditëve në vazhdim, dhe presin që i njëjti të marrë përkrahjen e deputetëve, duke e theksuar nevojën e elaborimit të tij para foltores së Kuvendit.