Gruevski do ta humbasë pagën e deputetit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me “52” vota “pro” dhe dy “abstenim” sot i miratoi plotësimet e Ligjit për deputetë, me të cilat ish kryeministrit Nikolla Gruevski do t’i hiqet paga e deputetit.

Marketing

Vendimi i miratuar ligjor parashikon se nëse deputeti është i dënuar me aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor me dënim me burg më shumë se gjashtë muaj, e humb të drejtën e pagesës së rrogës, të ardhura të tjera personale dhe kompensimin e shpenzimeve.

“Ligji do të sigurojë përmirësimin e kryerjes së funksionit deputet, si dhe kryerjen profesionale të tij”, thuhet në elaborimin e plotësimeve që i sollën deputetët Snezhana Kaleska -Vançeva dhe Muahamed Zeqiri nga LSDM-ja, Goran Misovski dhe Sonja Mirakovska nga Partia e Re Socialdemokratike, Rexhep Memedi nga Besa dhe Rexhep Ismaili nga BDI-ja.

Deputeti i opozitares VMRO-DPMNE Zoran Ilievski vlerësoi se ndryshimi ligjor është jokushtetues, që u mohua nga kolegia e tij e PRSD-së, Sonja Mirakovska e cila tha se plotësohet boshllëku në Ligj.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski, sipas ndryshimeve të reja ligjore, do ta humbë pagën e deputetit, sepse ka aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor me dy vjet burg për furnizimin e mercedezit luksoz të blinduar në lëndën e PSP-së “Tank”.

Gruevski tashmë disa muaj është në Hungari, ku nga autoritetet e atjeshme ekspresivisht ka marrë azil politik.