Nikolla Gruevski sot nuk është paraqitur në burgun e Shutkës. Procedura për ankimim i jep ish kryeministrit edhe disa ditë liri. Avokatët e tij të hënën dorëzuan ankesë pranë Këshillit Penal në Gjykatën Themelore- Shkupi 1, pasi paraprakisht iu hodh poshtë lutja që t’i anulohet vuajtja e burgut.
Gruevski sot personalisht ka dorëzuar ankesë pranë gjykatës, edhe krahas ankesës së avokatëve me sqarimin se përse vuajtja e dënimit mund të pres. Tashmë prej nesër Këshillit Penal i skadon afati prej tre ditëve që të marrë vendim apo më së voni deri të hënën. Ish kryeministri tani ka dy opsione- gjykata ta pranojë lutjen e tij për anulim apo ta hedh poshtë ankesën dhe të vendos datë, kur Gruevski të paraqitet në burgun e Shutkës.
Ish kryeministri provoi të mbetet në liri edhe përmes ankesës pranë Gjykatës Supreme. Kërkoi që aktvendimin prej 2 viteve me burg për furnizimin e “Mercedesit” luksoz në mënyrë të jashtëligjshme ta rishqyrtojë gjykata më e lartë në krye me Jovo Vangellovskin, kumbari i deputetit të VMRO DPMNE-së, Trajko Veljanovski. Pikërisht Veljanovski dje protestoi për drejtësi për Gruevski.
Njëkohësisht, ankesë për rastin “Tanku” pranë Apelit dorëzoi edhe ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska e cila u dënua me gjashtë vite burg. Gjykata penale njoftoi se ankesa e saj në Gjykatën e Apelit ka përparësi pasi shkon me procedurë të rregullt, krahasuar me mekanizmin juridik përmes të cilit kërkon shpëtim nga burgu ish kryeministri Nikolla Gruevski.
Gruevski në lutjen tashmë të refuzuar që e adresoi deri tek gjykatësi për shqiptimin e sanksioneve për anulimin e vuajtjes së dënimit, ka përmendur dy arsye pse nuk duhet të shkojë në burgun e Shutkës. E para ndërlidhet obligimet që i ka në Kuvend si deputet, duke aluduar në proceset për ndryshimet kushtetuese që po zhvillohen në këtë institucion, por edhe për shkak se po shkruan libër pasi këtë verë edhe doktoroi.
Ndryshe, dje në Komisionin për çështje të mandatit dhe imunitetit, kolegët e tij deputetë të pushtetit dhanë rekomandim që Gruevskit t’i merret mandati i deputetit.
Bashkëpartiakët lëshuan debatin ndërsa deputetët e përjashtuar të VMRO DPMNE-së që i mbështetën ndryshimet kushtetuese, thanë se nuk do të mbështesin marrjen e mandatit për liderin e tyre të dikurshëm. Që t’i merret mandati Gruevskit, nevojiten dy të tretat, që pushteti nuk i ka. Megjithatë, e tërë procedura nuk ndikon në shkuarjen e tij në burg.