Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj deklaroi dje se autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet sa i takon arratisjes së ish-kryeministrit Nikola Gruevski përmes Shqipërisë. Dje deputetët e Komisionit të Sigurisë zhvilluan një vizitë te dogana e Hanit të Hotit dhe Ermonela Felaj u pyet dhe për arratisjen e Gruevskit.
“Si ka ndodhur kalimi, nga ka hyrë apo nëse ishte apo jo në kërkim në momentin kur ka kaluar përmes Shqipërisë? Nuk është një çështje objekt i deputetëve të Komisionit të Sigurisë. Nga sa kemi parë në media çështja po hetohet”, tha ajo.
Felaj tha se prokuroria është organi që duhet të japë një përgjigje për këtë ngjarje.
“Më përpara kam qenë prokurore dhe për këtë përgjigje mund të japin vetëm organet e hetimit”, tha ajo.
Sa i takon qëllimit të vizitës në pikën doganore, Felaj tha se janë evidentuar nevojat që kanë pikat e kalimit kufitar.
“Ka dy tre muaj që kemi një agjendë në pikat e kalimit kufitar. Qëllimi është i qartë ne duam që të shohim puna dhe nevojat e policisë kufitare dhe doganës me qëllim që këto të adresohen siç duhet tek institucioni qendror. Besoj se ia kemi arritur këtij qëllimi sepse ne këto takime i kemi nisur para se të miratonim buxhetin e 2019. Kemi dërguar raporte të hollësishme qoftë ministrit të brendshëm por edhe kabinetit të kryeministrit me qëllimin që në momentin që po bëhej buxheti i 2019 të akomodoheshin të gjitha nevojat që kanë pikat e kalimit kufitar. Situata është përmirësuar në pikat e kalimit kufitar por sërish trendi i ri sjelle nevoja të tjera”, tha ajo.
Felaj u shpreh se pika e kalimit kufitar në Hanin e Hotit është e re por edhe ndër më të mëdhatë sepse kalojnë brenda një viti 2 milion njerëz duke shtuar edhe mjetet e importit dhe eksportit apo mjetet transit.
“Natyrshëm që ka nevojë për kapacitete njerëzore apo logjistikë siç është një skaner për të plotësuar kontrollin e mjeteve. Ky është problem (skaneri) i një marrëveshje të bërë përpara se ne të vinim në pushtet dhe kjo marrëveshje ka edhe disa probleme të tjera që ne ia kemi vënë në dukje autoriteteve përkatëse që të negociohet për ndryshimin e këtyre pikave të kontratës. Skaneri duhet sepse më pas kontrolli është 99% i saktë dhe tashmë ka ardhur koha për ta pasur sepse është ndryshe kontrolli me dorë dhe ndryshe me pajisje të teknologjisë së lartë”, tha ajo.