Grujevski dhe Boshkovski, para komitetit për azil në dhjetor (VIDEO)

Veçmë në dhjetor, të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski do të sqarojnë para Komitetit për azil në Selanik për çfarë arsye duhet të qëndrojnë në Greqi dhe të marrin mbrojtje politike. Seanca e fundit është anuluar meqë nuk është siguruar përkthyes ligjor nga greqishtja në maqedonisht, e drejtë kjo që u është e garantuar me ligj. Paralelisht, ish-agjentët sekret nga DSK-ja, në nëntor kanë gjykim në Selanik edhe për pasaportat e rrejshme bullgare me të cilat kanë dashur nga aeroporti i atjeshëm “Maqedonia” të arratisen në Hungari. Goran Grujevski ndërroi emrin në Hristo Atanasov, ndërsa Nikolla Boshkovski në Nexhbi Hasan. Ky proces nuk filloi meqë paralelisht kundër tyre zhvillohej edhe procedurë për ekstradim.

Marketing

Grujevski dhe Boshkovski në seancat në Selanik, me këmbëngulje theksonin se nuk mund të kthehen në vend. Ata thanë se janë të frikësuar meqë kundër tyre është zhvilluar proces politik, ndërsa i janë ekspozuar edhe rrezikut nga kërcënimi dhe përndjekja. Ekipi i avokatëve nga Greqia i cili i mbronte, i bëri thirrje edhe Aleksandar Dashtevskit, ish-kryetarit të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, që të dëshmojë para gjykatësve grekë. Ai e sqaroi rolin e Prokurorisë Speciale dhe procedurat që zhvillohen kundër dyshes së pandarë Grujevski dhe Boshkovski. Përkundër kësaj, gjykata në Selanik vendosi që ata të ekstradohen. Por, vijoi një ankesë para Gjykatës Supreme në Athinë. Gjykatësit e atjeshëm, nga ana tjetër, vendosën që këta të dy të mos i dorëzohen Maqedonisë që t’u gjykohet për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për përgjim të paligjshëm. Akti kryesor i gjykatësve gjatë marrjes së vendimit ishte falja e presidentit Gjorge Ivanov me interpretimin se vendimi për falje që është marrë një herë, nuk mund të tërhiqet. Prej 18 majit të këtij viti, Grujevski dhe Boshkovski janë të lirë. Verën do ta kalojnë në Greqi në pritje të dy proceseve kundër tyre në fund të vitit. Procedurë të re për ekstradimin e tyre paralajmëroi ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska, pasi zyrtarisht nga Greqia të marrë vendimin e Gjykatës Supreme. Megjithatë, lidhur me atë nëse agjentët sekret do t’i dorëzohen vendit, fjalën e fundit e ka ministri grek i Drejtësisë, i cili mund të vendosë ndryshe nga gjykata në Athinë.

Marketing