Rusia po grumbullon një fuqi të paprecedentë trupash në Arktik, sic u dëshmua edhe nga pamjet satelitore të publikuara disa ditë më parë.
Duket se pikërisht në këtë rajon ajo po teston dhe armët e vetë më të reja, e ndihmuar sic thonë ekspertët nga kushtet e zbutura klimatike për shkak të ngrohjes globale, të cilat kanë bërë që një pjesë e akujve të shkrijnë, duke hapur edhe më shumë lundrimin në ujerat polare.
Imazhet satelitore të siguruara për CNN nga kompania e teknologjisë hapësinore Maxar dëshmuan më herët se ka një shtim të vazhdueshëm të bazave ushtarake ruse dhe pajisjeve në vijën bregdetare të vendit në Arktik, bashkë me depot nëntokësore ku mbahen silurët e fuqishëm bërthamorë Poseidon dhe armë të tjera të reja të teknologjisë së lartë. Pajisjet ruse në Veriun e Epërm përfshijnë dhe avionë bombardues e MiG31BM, si dhe sisteme të reja radarësh pranë bregdetit të Alaskës.
Arktiku po ngrohet thuajse dy herë më shpejt se pjesa tjetër e globit. Shtresa e akullit atje është holluar, duke bërë që vëmendja ndaj këtij rajoni të shtohet. Por ndërsa Rusia e ka nisur me kohë ndërtimin e flotës së anijeve të saj akullthyese e sot numëron mbi 40 të tilla, rojet bregdetare amerikane kanë vetëm 2, një prej të cilave madje është e vjetërsuar, thotë eksperti i çështjeve detare, profesor Rockford Witz, sipas të cilit mungesa e akullthyeseve polare po minon aftësinë e Amerikës për të vepruar në Arktik.