Grupi gjerman ku bën pjesë Loredana dyshohet për blerje klikimesh

Reperja nga Ferizaj, Loredana Zefi, u vu sërish në qendër të vëmendjes së mediave zvicerane dhe ato gjermane.

Marketing

Teksa Gazeta “Tages Anzeiger” i ka dedikuar një artikull biografik, ku përmend gjithçka nga suksesi e deri te akuza për mashtrim nga një çift zviceran, duket se po e njëjta gazetë, në një artikull të publikuar së fundmi ka përmendur mënyrën se si reperët gjermanë “blejnë” suksesin me klikime të rrejshme, me çka renditen në top-lista si të parët në Gjermani, Zvicër dhe Austri.
Një ndër label-et që akuzohet për diçka të tillë është edhe Groove Attack – ai në të cilin bën pjesë Loredana.
“Gjithsej 46 milion klikime për këngën “SONNENBRILLE” të rep-artistes Loredana figurojnë në kanalin YouTube. Katër hitet e saj të fundit deri më tani regjistrojnë më shumë se 130 milion transmetime në Spotify, dhe 1.5 milion abonentë vizituan kanalin e reperes në YouTube muajin e kaluar. A mund të jetë e vërtetë kjo? Që nga e enjtja, ka dyshime të mëdha për numrat e tillë të transmetimit: Një kolektiv hulumtues i mediave rinore të ARD-së në Gjermani ka publikuar një raport në YouTube, sipas të cilit, është e mundur që të fryhet suksesi me klikime për ta shndërruar këngën në hit”, shkruan “Tages Anzeiger”.

“Unë mund t’ju bëj yll”, thotë një haker anonim, i cili fsheh fytyrën e tij nën një maskë të zezë, teksa prezantohet me nofkën “Kai”.
Pak më shumë se njëqind milion njerëz jetojnë në Zvicër, Austri dhe Gjermani. A ka ndonjë numër realist të një audience gjermane rreth 46 milionë sosh? Kjo pyetje shtrohet edhe në platformat llogaritëse të numrave në internet, duke pasur parasysh efektet e klikimeve të reperëve gjermanë, klipet e të cilëve kapin deri në 100 milionë klikime brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Si është e mundur që për 14 ditë, 80 për qind e gjermanëve ta dëgjojnë këtë këngë”, thotë përgjatë videos hakeri anonim, referuar një prej këngëve hit të reperes shqiptare, Loredana Zefi.

Por ai mesa duket tha se e di përgjigjen: “Kjo mund të bëhet e mundur me popullin tim gjerman që e krijova”, thotë Kai (hakeri anonim).