Guardiola: Edhe Liverpooli edhe ne e meritojmë titullin, por veç njëra do ta fitojë

Pep Guardiola ka thënë se Manchester City tani mendon për ndeshjen e radhës ndaj Burnley, të cilën e vlerëson si shumë të vështirë, në përpjekje për ta siguruar titullin e kampionit në Premierligë, pas triumfit të madh ndaj Manchester Unitedit në Old Trafford.

Marketing

Bernardo Silva dhe Leroy Sane shënuan dy golat e triumfit ndaj rivalit të qytetit në Old Trafford të mërkurën, që nënkupton se nëse skuadra e Pep Guardiolës i fiton tri ndeshjet e mbetura në ligë do të shpallet kampion, pavarësisht se çfarë bën Liverpooli.

Duke folur në një konferencë për media pas ndeshjes, Guardiola tregoi se kishte kërkuar nga futbollistët e tij të luanin për fitore edhe nëse duhej të rrezikonin për të pranuar gol.

“E kuptoj presionin që kemi dhe Manchester United na e bëri të vështirë me Rashford dhe Lingard në sulm. U thashë lojtarëve se duhet të luanim për të fituar, nuk ka rëndësi nëse pësojmë gol”, tha Guardiola pas ndeshjes.

City do të luajë ndeshjen e radhës në fundjavë kundër Burnley, të cilën spanjolli e sheh si shumë të vështirë.
“Tani do të shkojmë në Burnley dhe e dimë që do të jetë tepër e vështirë. Është e rëndësishme të jemi të qetë. Nuk jemi akoma kampionë me tre ndeshje të mbetura, është e pabesueshme me pikët që kemi grumbulluar, po ashtu edhe Liverpool. Të dyja skuadrat e meritojnë titullin, por vetëm njëra mund ta fitojë. Ekipi që do të humbasë nuk mund të ketë pendime pasi ka dhënë gjithçka”, shtoi ai.