Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, shpreson se fituesve të tripletës vendore sezonin e kaluar do t’u shtohet në skuadër edhe një qendërmbrojtës gjatë këtij afati kalimtar, përdeirsa e pranoi se dëshiron që edhe Leroy Sane të vazhdojë me klubin.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut foli për spekulimet rreth të ardhmes së anësorit gjerman, i cili ka qenë i lidhur me Bayern Munichun gjatë gjithë këtij afati kalimtar të verës, transmeton Gazeta Express.
Ish-ylli i Gjermanisë, Lothar Matthaus, thotë se ai beson se Sane mund të bëhet fytyra e re e Bayern Munichut, përderisa Guardiola ka thënë se mendon që më e mira për karrierën e Sanes është që ai të qëndrojë në Manchester City.
“Dëshirojmë që ai të qëndrojë. Shpresoj se ai do të qëndrojë këtë sezon dhe ta shtojë edhe një tjetër e edhe një tjetër. Për këtë arsye ne i kemi ofruar atij kontratë të re”, ka thënë Guardiola.
“E dua atë. Ai ka cilësi të veçanta, ne luajmë me anësorë dhe na duhen anësorë specifik. Por, ky është vendimi i tij, ashtu siç ndodhi edhe me Jadon Sanchon. Ne e duam atë, jemi duke dhënë gjithçka, por nëse nuk dëshiron, çfarë mund të bësh? Asgjë”.
Ish-kapiteni i Manchester City, Vincent Kompany, i cili ishte pjesë skuadrës që nga viti 2008, u largua në fund të këtij sezoni dhe iu bashkua klubit të tij të fëmijërisë, Anderlechtut, si trajner dhe lojtar.
“Do ta shohim nëse do ta zëvendësojmë. Por, po, jemi duke i shikuar disa emra. Në të njëjtën kohë, ne i kemi tre qendërmbrojtës që mund të luajnë aty dhe i kemi dy lojtarë të rinj që mund ta luajnë aty”, shtoi Guardiola.
“Do ta shohim se çfarë kemi mundësi të bëjmë gjatë afatit kalimtar dhe nëse klubi beson se ne mund t’i shpenzojmë ato para. Por, nëse jo, atëherë nuk do t’i shpenzojmë”.