Ish-kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati sot i është nënshtruar edhe një operacioni. Lidhur më këtë portali rtv21.tv ka kontaktuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, por të njëjtit nuk kanë dhënë detaje rreth gjendjes së tij shëndetësore për arsye “të privatësisë”.
Megjithatë, në përgjigjen e tyre elektronike drejtuar rtv21.tv është thënë se të paraburgosurit gëzojnë të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor që janë të disponueshme në Holandë, por edhe mund të konsultohet me mjekë të jashtëm.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion për gjendjen shëndetësore të të paraburgosurve individualë. Të paraburgosurit gëzojnë më së paku të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor që janë zakonisht të disponueshme në Holandë. Të gjithë të paraburgosurit vizitohen rregullisht nga mjeku në objektin e paraburgimit dhe mund të kërkojnë kujdes mjekësor në çdo kohë. Gjithashtu, nëse është e nevojshme, mjeku do të referojë një të paraburgosur për kujdes dhe/ose trajtim të specializuar. Për më tepër, një i paraburgosur mund të konsultohet me mjekë të jashtëm. Një mjek i jashtëm duhet të jetë i licencuar për të ushtruar profesionin në Kosovë, në Holandë ose në shtetin e vendbanimit të të paraburgosurit”, ka thënë Gjykata Speciale në Hagë.
Tutje Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se në rast se të paraburgosurit i mungojnë mjetet financiare për t’u konsultuar me një mjek të jashtëm, i paraburgosuri mund të kërkojë nga Administratori që Dhomat e Specializuara të paguajnë kostot e çdo trajtimi.
Në anën tjetër djali i Hysni Gucatit, Musliu ka shkruar në “Facebook” duke bërë të ditur se nuk mund të i qëndrojnë pranë këto ditë.
“Po e ndjejm çdo dhimbje tanen ashtu qysh gjithë i kena ndje, po mijëra gjilpëra po na u nguliten në shpirt që me ty nuk jemi.
Pasha plagët që i ke në trup që sot prapë tu hapen ka me i vra secila dhimbje e jotja tradhëtaret e Kosovës dhe ata që sot nuk na lejuan të jemi me ty në këto momente të vështria që po kalon dhe të privuan nga liria”, ka shkruar i biri i Gucatit.
Gucati ka kryer një intervenim kirurgjik edhe para dy javësh.
Kujtojmë se Gucati është dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Gucati u arrestua në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë ksihin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale./