Guterres: Njerëzit me aftësi të kufizuara, ndër më të goditurit nga koronavirusi

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se një miliard njerëzit në botë, që jetojnë me aftësi të kufizuara, janë ndër më të goditurit nga koronavirusi dhe kërkoi që ata të kenë qasje të barabartë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.

Marketing

Guterres tha se pandemia është duke zbuluar shkallën, në të cilën njerëzit janë të margjinalizuar, dhe se është duke i forcuar pabarazitë, me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.

Video-mesazhi i tij u lëshua së bashku me një raport të OKB-së, i cili thotë se njerëzit me aftësi të kufizuara llogaritet se përbëjnë 15% të popullsisë së botës.

Guterres tha se koronavirusi shpesh godet më rëndë njerëzit me probleme ekzistuese shëndetësore, duke e rritur rrezikun e tyre për të vdekur.

Në disa vende, tha Guterres, vendimet për racionalizimin e kujdesit shëndetësor bazohen në kritere diskriminuese, siç janë mosha ose aftësitë e kufizuara.

“Nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë”, tha Guterres.

“Ne duhet të garantojmë të drejta të barabarta për njerëzit me aftësi të kufizuara, që të kenë qasje në kujdesin shëndetësor”, shtoi ai.

Raporti nënvizon veprimet që duhen bërë, për të mbrojtur njerëzit me aftësi të kufizuara nga kontraktimi i virusit dhe për t’ua lehtësuar atyre ndikimet që mund t’iu shkaktojë distancimi fizik ose izolimi.

Raporti bën thirrje për mbështetje të madhe dhe për angazhim politik, për të siguruar se personat me aftësi të kufizuara “kanë qasje në shërbime thelbësore”.