Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pandemia e koronavirusit “po shëndrohet shumë shpejt” në një krizë të të drejtave të njeriut, pasi qeveritë po zbatojnë masa kufizuese dhe kanë mospajtime për të ndarë së bashku qindra miliarda dollarë në ndihmë për të lehtësuar efektet sociale dhe ekonomike.
Në një video-mesazh më 23 prill, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, paralajmëroi për një diskriminim në ofrimin e shërbimeve publike për të trajtuar COVID-19,sëmundje kjo që ka vrarë më shumë se 184,000 njerëz në të gjithë botën.
Guterres tha se shpërthimi, gjithashtu ka sjellë “një rritje të gjuhës së urrejtjes, shënjestrimin e grupeve të cenueshme”.
Pa emërtuar ndonjë vend apo parti, Guterres paralajmëroi se me “nacionalizmin etnik në rritje, populizëm, autoritarizëm dhe një reagim kundër të drejtave të njeriut në disa vende, kriza mund të shërbejë si arsye për të miratuar masa shtypëse për qëllime që nuk kanë lidhje me pandeminë”.
Më shumë se 2.6 milionë njerëz në botë tashmë janë infektuar me koronavirusin e ri, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Megjithatë, niveli i vërtetë i numrit të të infektuarve dhe vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë, për shkak të raportimit të ulët nga zyrtarët dhe sigurimit të dobët të të dhënave në disa rajone.
Shumë vende kanë deklaruar gjendje të jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e virusit, dhe Guterres paralajmëroi se çdo masë urgjente duhet të jetë “ligjore, proporcionale, e nevojshme dhe jo-diskriminuese.
“Mesazhi është i qartë: Njerëzit dhe të drejtat e tyre duhet të jenë qendër të çdo mase”, tha shefi i OKB-së.