Hagë: Mandati i Gjykatës Speciale zgjat deri në njoftimin e Këshillit të BE-së

Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre.

Marketing

Kështu është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese (Dhoma Kushtetuese), e cila ka thënë se amandamentet e propozuara nga ish-presidenti Hashim Thaçi lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë “pakësojnë të drejtat dhe liritë” e saj.

“Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës. Amendamentet kushtetuese u propozuan më 24 gusht 2020 nga Presidenti i atëhershëm i Kosovës dhe në vijim Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ia përcolli ato Dhomës për vlerësim paraprak, në përputhje me nenin 144(3) të Kushtetutës”, shkruan në njoftim.

Në aktgjykimin e saj Dhoma Kushtetuese vlerësoi amendamentet kushtetuese të propozuara duke u kushtuar vëmendjen e duhur kontekstit dhe veçorive specifike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa konfirmoi se kjo Dhomë “ka juridiksion ekskluziv për kryerjen e këtij vlerësimi, duke qenë se amendamentet e propozuara kanë lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

Më 24 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Dhomat kryejnё funksion gjyqёsor dhe duke qenё se pёrfaqësojnë ҫdo nivel tё sistemit gjyqësor nё Kosovё, ato pasqyrojnё strukturёn gjyqёsore tё Kosovёs. Në përbërje të Dhomave janë vetëm gjykatës ndërkombëtarë.