Eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, u ka apeluar përmes një mesazhi në Tuiter autoriteteve në Maqedoninw e Veriut, të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.
“Lufta kundër korrupsionit në nivele të larta duhet të vazhdojë pa ndërprerë. Sa i përket ngjarjeve të fundit, duhet të vërtetohet përgjegjësia për të gjitha veprat penale , përfshirë edhe ato që rjedhin nga përgjimet ilegale. Të gjitha veprat penale duhet të hetohen nga organet përgjegjëse që duhet të punojnë pa asnjë lloj ndërhyrjeje dhe kryerësit e këtyre veprave, të nxirren para drejtësisë”, porosit Hahn në mesazhin e tij në Tuiter.
Mesazhi në rrjetet sociale i eurokomisionerit për zgjerim, është reagimi i parë nga një zyrtar i lartë i BE-së rreth rastit “ Zhvatja”. Paraprakisht vetëm ish eurodeputetja gjermane Dori Pak reagoi po përmes rrjeteve sociale , duke kërkuar që Shërbimi Europian për Punë të Jashtme të thotë fjalën e tij dhe duke potencuar se zgjidhja e kontestit rreth emrit, nuk është justifikim që të mbyllen sytë ndaj ngjarjeve të fundit që po ndodhin në Maqedoninë e Veriut.