Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, e ka vlerësuar Maqedoninë e Veriut si vend aspirues për integrim në BE, për progresin e shënuar politik.
Në një intervistë për “Dojçe Welen”, Han ka thënë se Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet rajonal i cili nuk ka probleme të hapura me fqinjët dhe dukshëm ka realizuar kërkesat e BE-së.
“Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët”,- tha Hahn.
Sa i përket marrjes së datës për fillimin e bisedimeve, Hahn është shprehur se do të ishte mirë negociatat të fillonin sa më parë, si me Maqedoninë e Veriut ashtu edhe me Shqipërinë, sepse, sipas tij, kjo do të ndikonte në zhvillimin e vendeve. E ka quajtur ideale nëse vendet e Ballkanit do të integroheshin në BE bashkërisht, por nga ana tjetër e cilëson padrejtësi nëse një shtet do të priste për shkak të ngecjes së një shteti tjetër.
“Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohet në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate. Kjo vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Kjo nuk është realiste. Por, është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët”,- theksoi Hahn.
Duke komentuar gjendjen në Shqipëri, Hahn ka thënë se pozita dhe opozita atje duhet të bashkëpunojnë. Nga situata e fundit në Shqipëri, sipas eurokomesirit Hahn, është e vështirë të kuptohet nëse ky shtet është i gatshëm për negociata.
Ka ftuar politikanët e Shqipërisë të kujdesen për imazhin e Shqipërisë, i cili do të ndikojë në planin ndërkombëtar. Hahn ka folur edhe për raportin Kosovë – Serbi. Sugjeron palët të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, sipas tij, që kërkohet lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar.