Më 30 shtator e keni mundësinë e vetme ta përcaktoni të ardhmen tuaj. Kjo është mundësi që ofrohet njëherë në jetë. Vendimi do të ketë ndikim mbi qytetarët, fëmijët e tyre dhe gjeneratat e ardhshme të cilët ende nuk kanë lindur. Referendumi është mundësi unike të sillet vendim i rëndësishëm me pasoja afatgjatë, porositi eurokomisari Johanes Hahn pas takimit të sotëm me kryeministrin Zoran Zaev në Shkup.
Sipas tij, e rëndësishme është që qytetarët të sjellin vendim të informuar përmes raportimit cilësor.
“Informohuni dhe shfrytëzojeni të drejtën demokratike të votës dhe zgjedhjes së lirë, veçanërisht gjenerata e re, Shkoni për votim dhe vendosni për mundësitë të cilat u ofrohen”, tha Hahni.
Ai sërish dha përkrahje për marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“Marrëveshja fuqishëm është përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare sepse është rojtar i vendit dhe i perspektivës euroatlantike, por vendimi për të është vendim të cilin qytetarët në mënyrë të pavarur duhet ta sjellin. Ai është kontribut i rëndësishëm për vendin dhe rajonin. Për juve mbetet të vendosni më 30 shtator. Dera e BE-së është e hapur, por ju vendosni se a do ta shfrytëzoni atë mundësi. Nuk ka kohë për të humbur”, porositi Hahn.
Komisari evropian ceku se javëve të fundit Shkupi është bërë destinacioni më i popullarizuar i politikanëve nga Evropa dhe nga tërë bota./