Hajdari: BDI ngriti lart integritetin e femrës shqiptare

Kryetarja e re e forumit të gruas pranë Bashkimit Demokratik për Integrim Mukadeze Hajdari dhe anëtaret tjera dje qëndruan në Dibër për të shprehur mbështetjen për kandidatin për kryetar të Dibrës nga radhët e BDI-së Hekuran Duka.

Marketing

Para të pranishmëve Hajdari tha se pikërisht përcaktimi programor e strategjik i BDI mundësoi që femra sot të jetë e përfshirë në të gjitha fushat shoqërore.
Fjalimi i plotë i kryetares së Forumit të gruas pranë BDI-së Mukadeze Hajdari

Të dashura zonja dibrane,
Më lejoni që të falënderoj edhe njëherë për mbështetjen të cilën ma dhatë në kuvendin e 14 prillit. Besoj se s’do të zhgënjej besimin dhe pritshmëritë tuaja.

Gjate ecjes time në rrugën e bërë në Bashkimin Demokratik për integrim si aktiviste dhe anëtare e kësaj partie e më pas edhe si këshilltare komunale dhe si anëtare e Këshillit të përgjithshëm dikur, kam vërejtur se Bashkimi Demokratik për Integrim në politikat e saja konstruktive gjithnjë ka pasur synim përfshirjen e gruas në strukturat e saja si dhe avancimin dhe ngritjen e saj në të gjitha nivelet shoqërore e publike, si rezultat i së cilës sot shohim përfshirjen e saj në dimensione të shumta, filluam me deputete, me kryetare komune duke u ngjitur në poste edhe më të larta shtetërore.

Në këtë rrugë, kuptohet, shpesh është dashur të ballafaqohemi edhe me pengesat e brendshme dhe rrethanat objektive të jashtme, por, asnjëherë nuk jemi dekurajuar. Për shkak se ne kemi pasur vizionin e qartë çka duam dhe si duam ta realizojmë, ne sot po i korrim frytet e atij përcaktimi programor e strategjik të BDI sepse nuk ka fushë shoqërore a segment të pushtetit, ku nuk e kemi dhënë kontributin tonë konstruktiv. Shumëkush mund të paraqesë ndonjë të vërtetë tjetër, po pikërisht kjo rrugë e suksesshme, na bën faktorin i cili u ka mbijetuar të gjitha sfidave duke valorizuar pozitën tonë sot e kësaj dite.

Në vizionin tim për rolin e femrës në shoqëri dhe në kuadër të subjektit ku veprojmë, dua të theksoj disa gjëra që duhet t’i kemi parasysh. Para së gjithash, do të kisha përmendur se femrat nuk duhet të jenë inferiore në asnjë pikëpamje, edhe pse pozita e tyre në shoqëri është larg asaj që do të dëshironim, por edhe larg asaj që do të ishte normale. Në një shoqëri të emancipuar nuk do të duhej të kishte vend për dallime drastike midis gjinive. Ne kemi qenë si forum përskaj lobit të grave që imponoi një kriter më të avancuar të përfaqësimit të grave. Kjo gjithsesi na e ka forcuar pozitën si femra, ose më mirë thënë, na i ka zgjeruar mundësitë dhe u bë kriter përfaqësimi në sektorin publik, por dhe në sektorin e biznesit.

Por, të gjitha neve këtu në këtë forum dhe gjithë femrave në përgjithësi, nuk duhet të na joshin vetëm kuotat që na sollën një pozicion më të mirë. Kjo duhet të jetë një normë shoqërore, gjithsesi, por e pamjaftueshme. Ajo që ne duhet të angazhohemi është aftësimi profesional në të gjitha fushat! Ai aftësim do të na hipte në hierarkinë shoqërore jo me kuotat, por me potencialin intelektual dhe motivacionin tonë për t’u imponuar vetë si faktor cilësor që me kreativitetin tonë të çajmë rrugën kudo që të jemi të angazhuara.

E theksova edhe më parë se në sukseset e partisë sonë, kemi dhënë dhe po japim kontribut të pamohueshëm edhe ne si femra aktiviste, por jo vetëm duke trajtuar çështjet specifike femërore. Neve na mbetet që edhe më tutje të angazhohemi edhe më shumë për ta imponuar potencialin tonë në shërbim të politikave të partisë, gjegjësisht, të realizimit të përcaktimeve tona programore. Ne duhet të shtojmë aktivizmin tonë, duhet të biem në sy për profesionalizmin tonë, me vlerat tona, me ndershmërinë tonë, me motivin për t’u marrë me politikë për të bërë mirë për shoqërinë, për kombin tonë, për familjet tona. Dhe natyrisht, vetë të imponohemi në forumet partiake e politike, për të marrë përgjegjësinë edhe për pozitën tonë më të mirë si popullatë femërore.

Kur ne të marrim përgjegjësinë për pozitën tonë atëherë e lehtësojmë dhe mundësojmë veprimin më të fuqishëm të politikave partiake rreth çështjeve vitale dhe ekonomike e kombëtare.

Kandidatit për kryetar komune i duhen femra të zonja e të devotshme që do të ndihmojnë në realizimin e vizionit të tij për një Dibër edhe më të mirë edhe më të zhvilluar edhe më turistike.

Prandaj të vazhdojmë edhe më tutje me punën tonë të mirëfilltë që kemi bërë e që do të bëjmë edhe më tutje sepse frytshmëria e asaj pune do të ndihmon edhe më shumë kryetarin e komunës në mandatin e tij të marre pas 21 prillit.