Referendumi i ardhshëm është një gur kilometrik me rëndësi vendimtare në rrugën e mëtejshme të Shkupit drejt Bashkimit Evropian, por në fund do të duhet të vendosin vetë maqedonasit, se cili është destinacioni i këtij udhëtimi, thotë shefi i diplomacisë gjermane Hajo Mas në një intervistë për MIA-n para vizitës së tij të sotme në Maqedoni.
Mas funksionin e Ministrit të Punëve të Jashtme në kabinetin e Angela Merkelit e kryen që nga 14 marsi i vitit 2018, ndërsa paraprakisht ishte Ministër i Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve. Ai vjen nga radhët e Parisë Socialdemokrate, ndërsa në intervistën për MIA-n flet për Marrëveshjen me Greqinë, për referendumin e ardhshëm dhe rëndësinë e tij për të ardhmen e vendit si dhe për domosdoshmërinë e ekzistimit të një debati kritik në çdo vend, që deklarohet si demokratik.
Ju po e vizitoni Maqedoninë përpara referendumit të datës 30 shtator, në një periudhë aktivitetesh intensive diplomatike. Kancelarja gjermane Merkel ishte këtu më 8 shtator, në Ditën e Pavarësisë. Cili do të jetë mesazhi kryesor, që do të përcillni gjatë vizitës suaj në Maqedoni?
Unë nuk mund të përfytyroj një moment tjetër më të mirë për vizitën. Në qershor qeveritë e Shkupit dhe Athinës kanë shkruar histori. Konflikti për emrin mes maqedonasve dhe grekëve zgjati 25 vite . Tanimë ekziston mundësia historike për ta zgjidhur këtë konflikt duke kapërcyer kësisoj një pengesë madhore në përafrimin e Shkupit me Bashkimin Evropian. Dëshiroj të inkurajoj maqedonasit të vazhdojnë në këtë rrugë. Në të njëjtën kohë dëshiroj të bëj të qartë, se ne mbështesim perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kështu do të jetë edhe më tej.
Ju do të takoheni me Ministrin e Jashtëm Nikola Dimitrov, si dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë. A do të ketë takime edhe me opozitën? Cilat do të jenë mesazhet tuaja për të, nëse do të ketë një bisedë të tillë?
Ne, natyrisht, jemi në kontakt me të gjitha forcat demokratike në vend. Në këtë kontekst do të marr pjesë edhe në një forum diskutimesh në Shkup, ku do të kenë fjalën zëra të ndryshëm të shoqërisë maqedonase. Kjo për mua është e rëndësishme. Një demokraci jeton prej debatit kritik. Por në të njëjtën kohë është e qartë: Politikani – qoftë pjesë e opozitës apo e qeverisë – duhet ta vërë punën e tij gjithnjë në shërbim të qytetareve dhe qytetarëve të vendit të vet. Kjo vlen për Gjermaninë, kjo vlen edhe këtu.
Po sikur referendumi të dështojë?
Ky referendum është një gur kilometrik me rëndësi vendimtare në rrugën e mëtejshme të Shkupit drejt Bashkimit Evropian. Por në fund do të duhet të vendosin vetë maqedonasit, se cili është destinacioni i këtij udhëtimi. Të drejtën e këtij vendimi atyre nuk mund t’ua marrë askush, dhe është shumë mirë që kjo është kështu. E rëndësishme është që sa më shumë qytetare dhe qytetarë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike e të shkojnë të votojnë.
Nëse marrëveshja merr bekimin e saj në Maqedoni , a pritet ndonjë lëvizje obstruktive nga Greqia?
Marrëveshja nuk do të ishte e mirë vetëm për maqedonasit – edhe Greqia do të përfitonte nga stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit. Ne shohim, pra, një shans historik në këtë marrëveshje dhe kjo vlen për të dyja vendet. Këtë pozicion do ta bëj të qartë edhe gjatë vizitës sime në Greqi.