Hakohen institucionet italiane

Një agjenci private investigimi e njohur me emrin “Equalize” në Itali ka kryer sulme kibernetike ndaj autoriteteve italiane, përfshirë policinë, drejtorinë e tatimeve, si dhe politikanë të ndryshëm.

Marketing

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, kjo agjenci ka hakuar edhe emailin e presidentit të Republikës, Sergio Mattarella.

“La Repubblica” ka raportuar se hakerët kanë arritur të depërtojnë në informacione sekrete të policisë, informacione politike, si dhe tek informacionet qe lidheshin me dosjet penale të qytetarëve, me qëllim shantazhimin.

Autoritetet italiane kanë deklaruar se autorë të këtij sulmi kibernetik kanë qenë Enrico Pazzali, ish-polici Carmine Gallo dhe Nunzio Calamucci. Për më tepër ky i fundit, thuhet se ka qenë anëtar i grupit të hakerëve “Anonymous” dhe sipas mediave italiane, grupi kishte të dhënat konfidenciale të më shumë se 800 mijë rasteve në Itali.

Mediat italiane kanë raportuar se Enrico Pazali, së bashku me grupin e tij të investigimit, ishin përqëndruar për grumbullimin e informacioneve lidhur me eurodeputeten dhe ish-ministren e Arsimit, Letizia Moratti, me qëllim favorizimin e Attilio Fontana në zgjedhjet rajonale në Lombardi në vitin 2023. Pavarësisht se mënyra e veprimit të këtyre hakerëve është ende e paqartë, autoritetet kanë ngritur dy hipoteza.

E para është se agjensia private e investigimit ““Equalize” të ketë korruptuar persona të cilët kanë pasur akses në sistemet e të dhënave kofidenciale në polici dhe jo vetëm.

Ndërsa e dyta është se agjensia të ketë rekrutuar personat që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e serverave në Ministrinë e Brendshme në Itali.

Gjyqtari i kësaj çështje të ndërlikuar, Fabrizio Filice, ka lënë në gjendje të lirë Pazzalin, por ka dhënë masën e arrestit shtëpiak për ish-policin Gallo, i cili thuhet se është drejtori i agjensisë private të investimit. Mediat italiane pretendojnë se në këtë veprimtari të paligjshme të “Equalize” të jetë përfshirë edhe një magjistrat.

Marketing