Nikki Haley është tërhequr nga gara për të nominuarin republikan për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke i hapur rrugën ish-presidentit Donald Trump të përballet përsëri me presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit.
Haley, ish-guvernatore në Karolinën Jugore dhe ish-ambasadore e Trumpit në Kombet e Bashkuara kur ky i fundit ishte president, njoftoi për largimin nga gara të mërkurën gjatë një fjalimi në Çarlston.
Ajo u mposht nga Trumpi në 14 prej 15 garave për të nominuarin republikan në garën e njohur si Super e Marta.
“Ka ardhur koha ta ndërpres fushatën time. Nuk kam pendesa”, tha Haley.
Haley i bëri ballë Trumpit më gjatë se çdo sfidues tjetër republikan, por nuk ishte asnjëherë kërcënim për ish-presidentin, i cili vazhdon të gëzojë mbështetje shumë të madhe në mesin e republikanëve, pavarësisht aktakuzave të shumta penale me të cilat përballet.
Përsëritja e përballjes mes Trumpit dhe Bidenit nuk është ajo që shumica e amerikanëve duan. Sipas sondazheve, Trumpi dhe Bideni gëzojnë vlerësim të vogël nga votuesit.