Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati i është përgjigjur akuzave të deputetit të VMRO-DPMNE,Igor Zdravkovski, i cili hodhi akuza dhe kërcënime ndaj Feratit, por theksoi se nuk do lejoj hapjen e paraleleve shqipe në Çashkë.
“Në Komunën e Çashkës me rrethinë, bashkëjetesë ka pasë dhe do të ketë.
Pas shpifjeve të një deputeti, i cili te qytetarët e Velesit njihet si Igraorecot, ish mësues i ciklit të ulët, i cili në vend që të jetë shembull për rrethin e Velesit dhe Çashkës, të ndihmojë në përparimin e të gjithë qytetarëve pa dallim feje e kombi, pasi ai pagohet nga tatimi i të gjithë qytetarëve, ai mban fjalim me gjuhën e urrejtjes për prishjen e rendit dhe qetësisë, fjalim me shprehje shovene, fjalim në baza etnike dhe përdor fjalë të pahijshme, fjalë që nuk i përdorin as qytetarët e thjeshtë të cilët nuk kanë arsim elementar. Për të gjitha shpifjet, të gjitha të pavërtetat dhe fyerjet në bazë nacionale dhe gjuhës së urrejtjes, prishjes së rendit dhe qetësisë e bashkëjetesës në rrethin tonë, si dhe fyerjet dhe të pavërtetat që i ka thënë për emrin dhe mbiemrin tim e që nuk ngjajnë për nivelin e një deputeti, do të ngritet aktpadi private”, theksoi Ferati.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski, ka organizuar protesta kundër hapjes së paraleles shqipe në Komunën e Çashkës.
Deputeti opozitar maqedonas ka përdorur një fjalor kërcënues dhe urrejtës, duke i akuzuar edhe si njerëz të malit banorët e Jabollçishtit dhe tjerë.
Po ashtu ai akuzoi si kaçak drejtorin e Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati.
Sipas tij, ky drejtor nga radhët e ASH-së se po synon të rrëmben territore dhe planifikon të shqiptarizojë Çashkën. Zdravovski më tej tha se ka përkrahjen e partisë së tij se nuk do lejoj shkollë shqipe në Çashkë, por do propozojnë shkollë në fshatin Banjicë.