Han nesër në Maqedoni, hap procesin e skriningut

Komisari për zgjerim dhe politikë fqinjësore evropiane, Johanes Han nesër do të qëndrojë në Maqedoni, me çka fillon procesi i skriningut në vend për fillimin e negociatave për anëtarësim në Union.

Marketing

Sipas agjendës, Han në mëngjes do të ketë takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe më pas edhe me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi dhe me liderin e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Eurokomisari Han, siç lajmëron MIA, do të ketë fjalim para anëtarëve të Këshillit kombëtare për eurointegrim në Kuvend.

Javën e kaluar, Han në konferencë për shtyp në Bruksel i paralajmëroi vizitat në Maqedoni dhe në Shqipëri dhe fillimin e procesit të skriningut në këto dy vende. Eurokomisari pas përfundimit të takimeve në Shkup, nesër pasdite do të udhëtojë për në Tiranë.

Kryeministri Zoran Zaev të premten në takim me përfaqësuesit e organizatave civile deklaroi se me ardhjen e Hanit në Shkup fillon procesi i skriningut.

“Qëllimi është që në sesion qeveritar t’i hapim proceset dhe kjo do të thotë se sa më parë duhet ta përgatisim shtetin edhe me kornizë negociuese edhe me ekipet negociuese për procesin për të cilin është shumë me rëndësi sa kohë do të humbasim”, tha Zaev.

Shtoi se nga 33 kapitujt për Maqedoninë, do të duhet të ketë edhe 33 grupe të punës në të cilat do të duhet të përfshihen përfaqësuesit edhe nga institucionet edhe nga sektori civil.
Lidhur me referendumin edhe njëherë shprehu bindje se ai do të jetë i suksesshëm dhe se këtë javë do të saktësohen çështjet rreth asaj se kur do të jetë referendumi, nëse ai do të jetë obligues ose konsultativ dhe si do të formulohet çështja e referendumit. Paralajmëroi se do të kërkojë që opozita dhe të gjithë faktorët politik t’i pastrojnë pozitat e tyre në pjesën e referendumit.

Marketing