Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku ka marrë pjesë edhe në seancë qeveritare dhe ka filluar procesin e skriningut të vendit për negociatat me Bashkimin Evropian.
Hahn ka realizuar takim me kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa më pas kanë mbajtur edhe konferecë të përbashkët për shtyp. Eurokomesari tha se Këshilli i Evropës ka pranuar përparimin e Maqedonisë, ndërsa tani duhet që vendi të përgatitet për bisedimet me BE-në.
“Kam kënaqësinë që jam përsëri në Shkup, asnjëherë nuk do të harroj atë që kam kaluar këtu. Sot mund të jap disa lajme të mira për vendin tuaj për integrimet euroatlantike. Dua t’ju uroj për ftesën që morët nga NATO. Është hap i madh, pasi qytetarët do të jenë më të sigurt dhe me më shumë perspektivë. Populli i këtij vendi ka treguar durim dhe tani jeni shembull për gjithë rajonin. Ju falënderoj për vendosmërinë tuaj. Unë do të angazhohem edhe më tej dhe do t’ju ndihmoj në çdo hap të ardhshëm”.
“Tani ju mbetet juve, qytetarëve që të vendosni për të ardhmen tuaj. Dera e BE-së është e hapur, juve ju mbetet ta shfrytëzoni këtë mundësi duke marrë pjesë në referendum, sidomos të rinjtë. Është e rëndësishme të merret pjesë në referendum dhe të shfrytëzohet e drejta e votës. Bëhet fjalë për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Përparimin e Maqedonisë e ka pranuar edhe Këshilli i Evropës. Sot jam këtu që të fillojmë zyrtarisht procesin e përgatitjes për bisedimet me BE-në. Këto aktivitete zbatohen me gjitha vendet-kandidate, do të thotë nuk janë vetëm për Maqedoninë”, tha mes tjerash Hahn.
Ndërsa kryeministri Zoran Zaev shtoi se pas reformave që realizoi vendi gjatë periudhës së kaluar, është koha që vendi të përgatitet për bisedimet me Bashkimin Evropian.
“Maqedonia ka arsye të festojë, pasi do të fillojë bisedimet me NATO-n dhe BE-në. Më herët me Hahn dhe Mogherinin jemi marrë vesh që të fillojmë të përmbushim kushtet për anëtarësim në BE. Maqedonia përmes planit 3-6-9 kemi arritur reforma në gjyqësor, administratë. Vitin e kaluar kemi shënuar dy suksese në fushën e fqinjësisë së mirë: marrëveshjen me Greqinë dhe Bullgarinë.
Siç kemi njoftuar sot me Hahn kemi definuar hapat e ardhshëm për procesin e skriningut për bisedimet me BE-në. Sot në seancë qeveritare Hahn na njoftoi për procesin, ndërsa ne kemi sjellur disa përfundime: Bujar Osmani do të jetë shef i delegacionit që do të bisedojë me BE-në, Zoran Mariçiq do të jetë këshilltarë i veçantë. Bisedimet me BE-në janë detyrë historike për gjitha institucionet”, tha Zaev.