Hapet klinika juridike në UT

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes ka porositur sot nga Tetova se, të rinjtë, përfshirë këtu liderët prokurorët e ardhshëm të rinj, gjykatësit, avokatët aktivistë të të drejtave të njeriut, janë ardhmëria dhe meritojnë vend profesional ku do të mundë të integrojnë arsimimin e tyre, trajnimin teorik me përvojë praktike që do t’i afrojnë drejt njerëzve të cilëve do t’u shërbejnë. Byrnes gjatë lëshimit në përdorim të klinikës juridike në Universitetin e Tetovës, tha se, ky projekt është pjesë e rëndësishme e mbështetjes së SHBA-së për sektorin e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

KATE MARIE BYRNES, AMBASADORE E SHBA-SË NË SHKUP

“Edhe pse ngjarja e sotme duket e vogël, është një hap shumë i rëndësishëm sepse është një investim në atë lloj sistemi që ndihmon njerëzit që kanë nevojë për të drejtat e tyre, vlerat e tyre dhe gjithçka për të cilën luftojnë. Kështu që, edhe sot me këtë klinikë juridike ne po bëjmë një deklaratë për ardhmërinë”.

Ndërkohë, dekani i Fakultetit Juridik, Qebir Avziu tha se e ardhmja dhe standardet evropiane do të ndikojnë që gjeneratat e reja të jenë më të shëndosha dhe të kenë një bindje më të drejtë.

QEBIR AVZIU, DEKAN I FAKULTETIT JURIDIK

“Ne kemi për qëllim që gjatë ligjëratave ne t’i kushtojmë rëndësi jo vetëm pjesës juridike që mësohen në kriminalistikë e kështu me radhë, por t’i kushtojmë rëndësi edhe aspektit etik, të krijojmë gjenerata të shëndosha sepse me të vërtetë ky vend ka nevojë që të krijojmë jurist, kriminalistë të drejtë e të mirë, të cilët do t’i ndihmojmë shoqërisë që të jetojë në mënyrë më të ndershme”.

Klinika Juridike që u hap sot në Fakultetin Juridik në UT, është financiare nga ambasada e SHBA-së në Shkup dhe do të shërbejë për mësim praktikë të studentëve të këtij fakulteti.