Përgjatë viteve, Dubai e ka shndërruar në art thyerjen e rekordeve në fushën e arkitekturës dhe novacioneve ndërtimore. Së fundmi, në emiratin më të famshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe është hapur edhe pishina më e lartë me pamje 360 gradëshe, e vendosur në Kullën e Palmave, një hotel dhe godinë rezidenciale që ofron pamje marramendëse të qytetit.
E vendosur në një lartësi prej 200 metrash nga toka, pishina me sipërfaqe 750 metra katrorë qëndron në katin e 50-të të godinës më të re në Dubai. E përshkruar si “një ishull mbi qiell”, frekuentuesit e pishinës mund të shijojnë pijet dhe ushqimet e shpejta të servirura në barin ngjitur, si edhe të marrin rreze dielli e të sodisin panoramën nga shezllonet luksoze.
Për të shfrytëzuar pishinën ka tre oferta që, duke marrë në konsideratë se bëhet fjalë për Dubain dhe një ambient “rekordmen”, nuk janë edhe aq të larta. Për të qëndruar vetëm në orarin e paradites, deri në 14:00, duhet të paguash 46 dollarë, ndërsa për qëndrim përgjatë gjithë ditës, për të mos humbur perëndimin e diellit, bileta kushton 163 dollarë për person, që shoqërohet edhe me statusin “VIP” dhe trajtimin që ai mbart.
“Aura është një vend i veçantë jo vetëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, por në të gjithë botën”, tha për CNN, Antonio Gonzalez, CEO i “Sunset Hospitality”, kompanisë që ka ndërtuar dhe ideuar pishinën. “Me një pamje 360-gradëshe, pushuesit mund të shohin bukuritë e Dubait brenda pak minutash”.
“Aura Skypool” vjen vetëm disa muaj pas hapjes në katin e 52-të të godinës të një ballkoni që ofron pak a shumë të njëjtën përvojë sa i përket pamjes, por pa rehatinë dhe relaksin që vetëm një pishinë e tillë mund të sigurojë.
Edhe pse ngrihet 200 metra mbi tokë, “Aura Skypool” mban vendin e parë si më e larta vetëm sa i përket pishinave me pamje 360 gradë. Pishina më e lartë në botë ndodhet gjithashtu në Dubai, në katin e 77 të Jumeriah Gate, dhe ngrihet në 293 906 metra lartësi. Ndryshe nga “Aura Skypool”, ajo është e hapur vetëm për personat që qëndrojnë në hotel dhe që janë mbi 21 vjeç.