Hapet rruga për zgjedhjen e kryesuesit të OSBE-së për 2024

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi aktual i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), Bujar Osmani bëri të ditur të hënën se Ambasadorët e 57 vendeve anëtare të organizatës kanë rënë dakord që t’i hapin rrugën zgjedhjes së vendit që do të mbajë Presidencën e kësaj organizate për vitin 2024.

Marketing

Ако имаш 300 МКД, наскоро ќе имаш 30.000 МКД! Погледнете го тоа!
Stellar
Vendimi përfundimtar, për të cilin kërkohet miratim i njëzëshëm i shteteve anëtare, pritet të merret gjatë punimeve të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së, që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup.

Malta është shprehur e gatshme të kryesojë OSBE-në, pasi Rusia dhe Bjellorusia kishin paralajmëruar bllokimin e kandidaturës së Estonisë.
Moska ishte shprehur kundër Estonisë që të merrte presidencën, që në vitin 2021. Autoritetet estoneze kishin shprehur zemërim mbi këtë qëndrim dhe e kishin akuzuar Rusinë se po pengonte veprimtarinë e organizatës, në çështje që lidheshin me buxhetin apo shtrirjen e misioneve të saj.

Ministri i jashtëm estonez Maergus Tsahkna, citohet nga portali Politiko, të jetë shprehur se “Rusia ka shkelur të gjitha parimet themelore të OSBE-së me agresionin e saj të përgjakshëm në Ukrainë dhe se kërkesat dhe kërcënimet e Moskës nuk mund të pranohen”.

OSBE-ja përbëhet nga 57 shtete të Evropës, Amerikës Veriore dhe një pjesë të Azisë, ndërsa mandati i saj përfshin vëzhgimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e negociatave për paqe.

Ndërkaq, Moska për një kohë të gjatë e ka kritikuar organizatën dhe e ka akuzuar se “është kthyer në një vegël të Perëndimit”, duke bllokuar në këtë mënyrë një numër vendimesh, pasi miratimi i tyre kërkon mbështetje të njëzëshme të vendeve anëtare.

Kryesuesi aktual, Bujar Osmani ka theksuar jo një herë, se e ardhmja e organizatës mund të vihej në pikëpyetje, nëse Rusia do të bllokonte vendimet.

Në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së në Shkup, pritet të jetë i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Nga ana tjetër, qeveria e Maqedonisë së Veriut hoqi të premten masën kufizuese për fluturimin e avionëve rusë në hapësirën e saj, për t’i mundësuar në këtë mënyrë pjesëmarrjen në konferencë ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Por, që ai të arrijë në Shkup, nevojitet edhe pëlqimi i Sofjes ose Athinës për t’i dhënë leje aeroplanit rus për të fluturuar në hapësirat ajrore respektive.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters ministri rus Lavror u shpreh këtë të hënë se ai do të merrte pjesë në takimin e OSBE-së nëse Bullgaria lejonte fluturimin e delegacionit rus në hapësirën e saj ajrore dhe se disa vende Perëndimore kishin kërkuar takim me të.

Por, me gjasë Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba do ta bojkotonte takimin nëse aty shkonte homologu i tij rus, Lavrov, sipas burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup.

Autoritetet maqedonase janë përgatitur për muaj të tërë për takimin e Shkupit. /VOA

Marketing