Xhamia e Ajasofjes sot rihapet sërish për adhurim me namazin e xhumasë për herë të parë pas 86 vitesh, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 1.500 njerëz pritet të kryejnë lutjet e xhumasë gjatë ceremonisë së hapjes, përfshirë figura të tilla të shquara si presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe kreu i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli.
Në vitin 1985, gjatë kohës së saj si muze, Ajasofja u shtua në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Ajasofja është ndër destinacionet më të vizituara në Turqi, si për turistët vendas ashtu edhe për ata të huaj.
Ajo shërbeu si kishë për 916 vjet deri në çlirimin e Stambollit dhe si xhami nga viti 1453 deri në vitin 1934, pothuajse gjysmë mijëvjeçari dhe së fundmi si muze për 86 vjet.
Më 10 korrik, një gjykatë turke anuloi dekretin e kabinetit të vitit 1934 që e kishte shndërruar Ajasofjen në muze, duke i hapur rrugën përdorimit të saj përsëri si xhami pas një periudhe 86 vjeçare. Para kësaj, ajo ka qenë xhami për gati 500 vjet.
Më 16 korrik, Drejtoria e Çështjeve Fetare në Turqi nënshkroi protokoll bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për të drejtuar Ajasofjen pas shndërrimit të saj në xhami.
Sipas protokollit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të mbikëqyrë punën e restaurimit dhe konservimit ndërsa Drejtoria e Çështjeve Fetare do të mbikëqyrë shërbimet fetare.
Thesari arkitektonik po ashtu do të jetë i hapur falas për turistët vendas dhe të huaj.