Hapet zyrtarisht sezoni turistik në Kodrën e Diellit

Në atmosferë festive, me koncert nga legjenda tetovare e muzikës rok, Elita 5, zyrtarisht është hapur sezoni turistik dimëror në Kodrën e Diellit.

Marketing

Adhuruesit e skijimit do kenë në dispozicion të gjithë ski ashensorët e Kodrës së Diellit, ndërsa risia e këtij sezoni, do të jetë skijimi i natës i cili tashmë do jetë jo vetëm në pistën e skijimit “Teteks” por edhe në pjesën e quajtur “Aerodrom” pra me një kilometër shtesë pistë skijimi të ndriçuar.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot edhe zyrtarisht të hapim sezonin turistik në kodrën e Diellit. Sezonin turistik 2021-2022. Gjatë kësaj periudhe kemi pas shumë munde dhe shumë punë, por falë Zotit dhe ndihmës së bashkëpunëtorëve ia dolëm mbanë dhe arritëm deri këtu”, deklaroi Adem Avziu, Drejtor i Elem Turs.

Në kuadër të hapjes së sezonit të ri turistik, u inaugurua edhe parku kombëtar Mali Sharr.

“Ndjehem i nderuar që të ju uroj mirëseardhje në inaugurimin e Parkut të ri Kombëtar në vendin tonë. Parkut kombëtar Mali Sharr. Kjo është ngjarje tejet e rëndësishme për gjithë e sidomos për banorët e këtij rajoni. Ky projekt i madh u realizua pas një debati publik dhe kontributit të ekspertëve të fushës si dhe bashkëpunimit të Qeverisë sonë, Ministrisë së Ekologjisë, e institucioneve si universitetet, shoqatat e ndryshme malore, bjeshkatare, gjuetare e të tjera”, tha Ibrahim Dehari, Drejtor i Parkut Nacional Mali Sharr.

Më 15 dhe 16 dhjetorë, ski ashensorët do të jenë falas për të gjithë vizitorët vendas por edhe të huaj.